Medica Kosova i kërkon BE-së veprime konkrete kundër mohimit dhe glorifikimit të krimeve të luftës

Medica Kosova i është drejtuar me një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, duke kërkuar veprime konkrete kundër mohimit dhe glorifikimit të krimeve të luftës.

Letra i është dërguar edhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.

Në reagimin e saj, Medica Kosova shpreh shqetësim të thellë për deklaratën e ministres serbe Snežana Paunović, e cila kishte deklaruar se, po të ishte në pozitën e Slobodan Milošević-it, do të kishte kryer “spastrimin etnik të Kosovës”.

Letra e plotë:


Përtej dënimit verbal: Një thirrje për përgjegjësi dhe veprim kundër mohimit dhe glorifikimit të krimeve të luftës

Për:
Znj. Ursula von der Leyen – Presidente e Komisionit Evropian

Znj. Kaja Kallas – Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian

Cc:
Z. Peter Sørensen – Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor

Nga:
MEDICA KOSOVA – Organizatë joqeveritare që mbështet të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore gjatë dhe pas luftës.

E nderuara Presidente Znj. von der Leyen,

E nderuara Përfaqësuese e Lartë Znj. Kallas,

Medica Kosova, një organizatë që mbështet të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe angazhohet për drejtësi dhe të drejta të njeriut, shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me deklaratën e ministres serbe Snežana Paunović, e cila ka thënë se, po të kishte qenë në pozitën e Slobodan Milošević-it, do të kishte kryer “spastrimin etnik të Kosovës”. Kjo deklaratë është pjesë e një praktike te vazhdueshme. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar në mënyrë të përsëritur mohimin e krimeve të luftës, shtrembërimin e fakteve historike, si dhe glorifikimin e personave të dënuar për krime lufte nga zyrtarë të lartë serbë.

Më shumë se dy dekada pas luftës në Kosovë, përgjegjësia për krimet e kryera mbetet ende e paplotë. Shumë autorë të krimeve nuk janë sjellë ende para drejtësisë, ndërsa të mbijetuarit – veçanërisht të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës – vazhdojnë të presin për drejtësi të plotë. Kur pa-ndëshkueshmëria vazhdon, glorifikimi i krimeve të luftës dhe i autorëve të tyre forcohet, duke cenuar drejtësinë, duke dëmtuar të mbijetuarat dhe duke penguar pajtimin.

Prandaj, i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që:

• Të shkojë përtej shprehjeve të shqetësimit, duke e bërë refuzimin e mohimit të krimeve dhe të glorifikimit apo justifikimit të krimeve të luftës një kriter të qartë për përparimin në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, si dhe një temë të vazhdueshme në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Deklarata të tilla nuk duhet të trajtohen si qëndrime individuale të izoluara kur ato bëhen nga persona që mbajnë poste të larta politike dhe ekzekutive.

• Të kërkojë masa konkrete institucionale për të adresuar praktikat e përsëritura të mohimit dhe glorifikimit, duke vazhduar njëkohësisht mbështetjen për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, përfshirë dhunën seksuale gjatë luftës, si dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal për luftimin e pa-ndëshkueshmërisë.

• Të sigurojë që zëri i të mbijetuarave dhe viktimave të mbetet në qendër të të gjitha përpjekjeve të mbështetura nga BE-ja për drejtësi tranzicionale, pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve.

Guximi dhe qëndrueshmëria e të mbijetuarave të krimeve të luftës meritojnë më shumë sesa shprehje shqetësimi. Ato meritojnë veprime konkrete që mbrojnë të vërtetën, forcojnë përgjegjësinë, nderojnë kujtimin e të vrarëve dhe të zhvendosurve, njohin vuajtjet e përjetuara nga të mbijetuarat dhe rikthejnë dinjitetin që dhuna synoi t’ua marrë.

Vetëm duke vendosur viktimat dhe të mbijetuarat në qendër të politikave të saj për zgjerim dhe normalizim, Bashkimi Evropian mund të mbrojë vlerat mbi të cilat është themeluar.

Me respekt,

Veprore Shehu – Drejtoreshe Ekzekutive

Read Previous

Kos e habitur që Paunoviqi vazhdon të jetë ministre

Read Next

Malisheva shkëlqen ndaj Vllaznisë dhe kalon tutje në Evropë