Mbi 100 të arrestuar në operacionin më të madh të mashtrimit në Mbretërinë e Bashkuar

Në Mbretërinë e Bashkuar, mbi 100 persona janë arrestuar në operacionin më të madh të mashtrimit.

Ata rrëzuan një faqe interneti që policia e përshkruan si një “dyqan mashtrimi” të përdorur nga mashtruesit për të vjedhur dhjetëra miliona paund nga britanikët.

E gjitha kjo nëpërmjet telefonatave të rreme bankare.

Sakaq, vlerësohet se janë mbi 200 mijë viktima të mundshme që janë shënjestruar përmes faqes së internetit iSpoof.

Faqja u hoq këtë javë nga njësia e krimit kibernetik të Scotland Yard me ndihmën e autoriteteve në SHBA-ve dhe Ukrainës.

Thuajse 20 njerëz çdo minutë të ditës kontaktoheshin nga mashtruesit që fshiheshin pas identiteteve të rreme të krijuara duke përdorur faqen.

Në fillim vlerësohet se kriminelët mund të kenë vjedhur afërsisht 50 milionë paund. Kurse shuma aktuale ka të ngjarë të jetë më e lartë.

Mashtruesit paguan iSpoof, i cili u krijua në dhjetor 2020, për një shërbim që i lejonte ata të maskonin numrin e tyre të telefonit dhe të pretendonin se po telefononin nga një organizatë e besueshme.

Ndërkaq, mashtruesit përdorën Bitcoin për të paguar shërbimin.

Më pas, ata do t’i mashtronin njerëzit për t’u dorëzuar para ose për t’u dhënë atyre akses në llogaritë e tyre bankare.

Deri në gusht, rreth 10 milionë telefonata mashtruese u bënë globalisht përmes iSpoof, me rreth 3.5 milionë prej tyre të bëra në Mbretërinë e Bashkuar.

Prej tyre, 350 mijë telefonata zgjatën më shumë se një minutë dhe iu drejtuan 200 mijë individëve.

Përdoruesit e shërbimit, i cili u mbyll këtë javë, besuan se ishin anonimë. Megjithatë, nuk ishte kështu dhe më shumë se 100 persona janë arrestuar, kryesisht në Londër.

Arrestimet përfshijnë organizatorin e dyshuar pas faqes në internet, Teejai Fletcher.

34-vjeçari, nga Western Gateway, në lindje të Londrës, është akuzuar për prodhimin ose furnizimin e artikujve për përdorim në mashtrim, pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi të krimit të organizuar dhe të ardhura nga çështjet e krimit më 7 nëntor.

Ai u mbajt në paraburgim dhe më pas do të paraqitet në gjykatë në Southwark më 6 dhjetor.

Autoritetet policore e nisën hetimin e iSpoof në qershor 2021, duke punuar me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, duke përfshirë ato në SHBA, Holandë dhe Ukrainë për të mbyllur faqen e internetit.

Hetuesit depërtuan në faqen e internetit dhe zbuluan 70 milionë rreshta të dhënash dhe të dhënash Bitcoin-i, duke i lejuar ata të fillojnë të gjurmojnë të dyshuarit.

Duke qenë se grupi i të dyshuarve është i madh, hetimi fillimisht përqendrohet te përdoruesit e Mbretërisë së Bashkuar dhe ata që shpenzuan të paktën 100 Bitcoin për të përdorur faqen.

Ndërkohë, forcat policore kanë bërë me dije se planifikojnë të përdorin Aktin e të ardhurave nga krimi për të rikuperuar paratë aty ku është e mundur.

/The Guardian/Albanianpost.com

Read Previous

Irani fiton në frymën e fundit kundër Uellsit, i shënon dy gola në shtesë

Read Next

Ekspozita e Rexhep Selimit, Konjufca: Po gjykohet padrejtësisht në Hagë, por është mes nesh me piktura