Mbahen homazhet në nderim të regjisorit Dhimitër Anagnosti

Në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit po zhvillohen sot homazhet në nderim të regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti, një prej themeluesve dhe figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare.

Homazhet nisën në orën 10:00 dhe do të vijojnë deri në orën 13:00. Më pas arkëmorti me trupin e të ndjerit do të përcillet për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij në Vuno të Himarës.

Kineastë, njerëz të letrave, artistë të arteve pamore, akademikë, politikanë e njerëz të thjeshtë, kryen nderimet e fundit ndaj kësaj figure të rëndësishme të artit shqiptar. Të hidhëruar për humbjen e një njeriu të këtyre përmasave, ata ngushëlluan në heshtje bashkëshorten, Rozën dhe vajzat.

Kryeministri Rama kreu homazhe në hollin e Teatrit të Operas, ngushëlloi familjen e të ndjerit dhe më pas la një shënim në librin e homazheve. Pas tij ngushëllimet i shprehu ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe të tjerë politikanë.

Ministri Gonxhja tha për gazetarët se, vërtet ndahet fizikisht një baba i kinemasë, një korife i regjisë dhe artit, por është ndarje që lë pas një thesar, një trashëgimi për të gjithë brezat.

“Ne gjithmonë e kemi pasur si shembull në punën tonë. Një njeri i heshtur, shumë serioz, këmbëngulës e me pasion të veçantë. Nuk e di si do të vijnë brezat dhe si do ta kujtojnë, por filmat e tij do të jenë vërtet të paharruar”, u shpreh aktorja Marjeta Ljarja.

Regjisori Gëzim Kame vlerësoi lart kulturën dhe inteligjencën e jashtëzakonshme të Dhimitër Anagnostit. “Me Dhimitrin duhet të mendoheshe mirë kur të flisje”, tha Kame duke vënë theksin tek bagazhi, mprehtësia dhe intelekti i jashtëzakonshëm i Anagnostit.

“Kur ndodhin humbje të tilla, kaq të mëdha si kjo e Taqos, është më mirë të heshtësh sesa të flasësh. Sepse ka aq shumë për të thënë për të sa fjalët mund të zihen me njëra-tjetrën se kush të dalë e para. Unë ndihem i bllokuar për të thënë shumë gjëra të bukura e të dashura që kam pasur me Taqon. Kam pasur një miqësi shumë të gjatë. Është një personalitet i papërsëritshëm dhe humbje shumë e madhe”, u shpreh piktori Gazmend Leka, pas homazheve. Në mesazhin dhënë medieve, Leka e krahasoi Dhimitër Anagnostin me Felinin.

Këshilli i Ministrave e ka shpallur ditë zie kombëtare datën 2 shtator 2025 (sot), në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.

Dhimitër Anagnosti lindi më 23 janar 1936 në Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator. Me një karrierë mbi katër dekada, Anagnosti dha një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe pedagog, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare.

Ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke trajtuar tema të rëndësishme shoqërore, historike dhe psikologjike. Shumë prej skenarëve i hartoi vetë, duke dëshmuar një talent të gjithanshëm. Veprat e tij filmike kryesore janë: “Komisari i dritës” (1966), “Duel i heshtur” (1967), “Plagë të vjetra” (1968), “Malet me blerim mbuluar” (1971), “Cuca e maleve” (1974), “Kur hiqen maskat” (1975), “Lulëkuqet mbi mure” (1976), “Monumenti” (1977), “Në shtëpinë tonë” (1979), “Vëllezër dhe shokë” (1982), “Gurët e shtëpisë sime” (1985), “Përrallë nga e kaluara” (1987), “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989) dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, filmi me të cilin fitoi dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Për krijimtarinë e tij, Anagnosti u nderua me një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 2011 mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Rama homazhe në nderim të Dhimitër Anagnostit: Ishte babai i kinemasë shqiptare

Kryeministri Edi Rama nderoi sot artistin e madh Dhimitër Anagnosti, në ceremoninë e homazheve të zhvilluara në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Kryeministri la po ashtu një shënim në librin e ngushëllimeve, të hapur në hollin e TOB.

Në një dedikim të ndjerë për humbjen e tij, një ditë më parë, kryeministri Rama shkroi mes të tjerash se “Dhimitër Anagnosti ishte babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjisori i plot filmave të arrirë, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël”.

Personazhe të jetës politike dhe kulturore në vend, aktorë, kineastë, si dhe shumë dashamirës të artit e njerëz të thjeshtë nderuan sot regjisorin e mirënjohur, i cili u shua në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur personazhesh dhe rolesh të spikatura në filmat shqiptarë.

Këshilli i Ministrave shpalli datën 2 shtator 2025 (sot), ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.

Në respekt të Anagnostit, në të gjithë vendin flamujt janë ulur në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore po zhvillojnë homazhe për nder të figurës së tij.

Berisha: Dhimitër Anagnosti, kolos i gjenisë krijuese artistike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në homazhet në nder të regjisorit Dhimitër Anagnosti, të mbajtura në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Pas homazheve, Berisha u shpreh në një prononcim për mediet se, sot është një ditë e rëndë, ditë zie për artin, filmin, kulturën e shqiptarëve, pasi përcjellin për në banesën e fundit një kolos të vërtetë të gjenisë krijuese artistike të kombit shqiptar.

“Dhimitër Anagnosti ishte dhe është njëri prej krijuesve, regjisorëve, skenaristëve, shkrimtarëve më të shquar të vendit”, u shpreh Berisha.

Berisha theksoi se, Anagnosti lë një trashëgimi në të cilën ai do të jetojë për jetë të jetëve.

“Anagnosti ishte i pamëshirë në kërkim të përsosmërisë artistike në veprën e tij. Ai, që në vitet ’90 me emrin, reputacionin e tij, i angazhua në mbështetje të përmbysjes së diktaturës dhe forcave demokratike”, tha më tej Berisha.

Berisha tha se, “në dy legjislatura ishte deputet i PD dhe ministër Kulture, një personalitet i rrallë, i cili do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit. Ndaj, dhe një herë unë shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Rozës, artistes së mrekullueshme, familjes së tij, miqve, shokëve dhe të gjithë atyre që ndjejnë dhimbje për largimin e tij nga jeta”.  /ATSH/

Read Previous

Manuel Akanji: Interi është klubi më i madh në Itali

Read Next

Tabaku: As turizmi dhe as propaganda nuk e fshehin dot krizën ekonomike në Shqipëri