Tabaku: As turizmi dhe as propaganda nuk e fshehin dot krizën ekonomike në Shqipëri

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot se, as turizmi dhe as propaganda nuk e fshehin dot krizën ekonomike.

Sipas saj, vetëm në gusht, treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 0.8 pikë, teksa industria humbi 4 pikë, shërbimet ranë me 2.1 pikë.

Tabaku theksoi se, edhe konsumatorët u treguan më pesimistë: treguesi i tyre ra me 0.5 pikë.

“Më pak blerje, më shumë frikë për të ardhmen financiare. Ndërtimi, dikur krenaria e qeverisë, mbahet gjallë vetëm nga spekulimi me çmime. Ky është sistemi i ndërtuar për një pakicë: taksat e larta i paguan shumica, ndërsa buxheti shpërndahet në korridoret e pushtetit për klientelën e privilegjuar”, shkroi Tabaku, në një postim në rrjetet sociale.

“Dhe këto nuk janë thjesht shifra por tregues të një realiteti ku shqiptarët po humbasin besimin – tek ekonomia, tek mundësia për një jetë më të mirë, tek e ardhmja në këtë vend”, theksoi Tabaku.

Dhe, shtoi ajo, “kjo është kriza më e madhe. Një sistem që takson rëndë punën dhe shtresën e mesme, ndërsa shpërndan buxhetin në korridoret e pushtetit për pakicën, nuk mund të ndërtojë mirëqenie”. /ATSH/

Read Previous

Mbahen homazhet në nderim të regjisorit Dhimitër Anagnosti

Read Next

“Liqeni i Komanit e lumi i Shalës, mikpritës të mijëra vizitorëve”