Mazreku: Stikerat ulin numrin e aksidenteve dhe veturave të paregjistruara

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Sami Mazreku, ka thënë se me fillimin e implementimit të projektit për vendosjen e stikerave në vetura është ulur numri i veturave të paregjistruara dhe pa siguruara në Kosovë, e sipas tij, ky projekt ka ndikuar që të ulet edhe numri i aksidenteve në trafik për 15 për qind.

Mazreku theksoi se me vendosjen e stikerave, nga 237 mijë vetura të pa regjistruara sa kanë qenë në vitin 2020 tani janë vetëm 18-19 mijë vetura të pa regjistruara, e që sipas tij, ky projekt ka ndikuar shumë që të rritet edhe siguria në trafik.

Në uljen e numrit të veturave të pa regjistruara dhe uljen e numrit të aksidenteve, Mazreku tha se kanë ndikuar edhe pajisjet digjitale të përdorura nga ana e Policisë së Kosovës.

“Kemi hyrë në vitin e dytë të këtij projekti, ajo çka duhet që me falënderuar shumë është Policia e Kosovës, Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës, Bankën Qendrore që na ka përkrahur. Qysh në vitin e parë e ka ulur në 15 për qind numrin e aksidenteve ku shkaktare ka qenë pa sigurim dhe pa regjistrim. Ne presim që këtë vit të ketë edhe më shumë rënie për arsye se tash kanë avancuar edhe disa modele të tjera siç është, pajiset e Policisë, që përveç stikerave në mënyrë automatike me kamera po detektohen, po ndalen veturat”, tha ai.

Drejtori i BKS-së, tha se nga ky projekt përfitimet kanë qenë të mëdha, sipas tij, kjo ka rritur edhe sigurinë në trafik dhe ju ka lehtësuar më shumë punë Policisë së Kosovës që ti identifikoj veturat e pa regjistruara.

“Nëse flasim me beneficione, beneficionet janë të mëdha. Ka rritur edhe sigurinë për arsye se sot nëse i shohim edhe në parkingje pothuaj se rrallë shumë rrallë mundemi me gjete ndonjë veturë me targa vendore që nuk e ka stikerin e vendosur. Kjo është që ne kemi menduar që Policisë së Kosovës të ja lehtësojmë punën edhe mendoj që ja kemi lehtësuar”.

Mazreku theksoi se me vendosjen e stikerave nëpër vetura, nga 237 mijë vetura sa kanë qenë të pa regjistruara në vitin 2020, tani numri i tyre ka rënë në 18-19 mijë.

“Policia tash po e benë një punë shumë të mirë edhe Agjencioni i regjistrit civil e ka nxjerrur një rregullore. Në nja farë mënyre edhe forma të tjera po shkon duke u pastruar numri i automjeteve të pa regjistruara, nuk e kemi më 237 mijë vetura qysh kanë qenë vitin 2020, janë rreth 18-19 mijë që është më pak se 5 për qind e totalit të veturave që lëvizin lirshëm në Kosovë”, tha ai. /EO

Read Previous

Lojërat Mesdhetare 2030, Komiteti Olimpik i Serbisë: Ndërhyrje e politikës në sport

Read Next

Rafuna: Kosova po vuan për një strategji, 80% e remitancave të diasporës në patundshmëri