Protesta në Tiranë, sërish përplasje mes protestuesve dhe policisë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka ndarë 370 mijë euro për 10 organizata joqeveritare që menaxhojnë 54 qendra mësimore, të cilat mbështesin mbi 2,600 fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.
Për vitin shkollor 2026/2027, ministria ka nënshkruar kontratat me organizatat përfituese, duke siguruar vazhdimin e shërbimeve mbështetëse për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, dhe sekretari i përgjithshëm i ministrisë, Naim Gashi. Me këtë rast, Çeku përgëzoi organizatat për punën e tyre dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit për përmirësimin e rezultateve të të nxënit, rritjen e pjesëmarrjes në arsim dhe avancimin e barazisë për fëmijët e këtyre komuniteteve.
Mbështetja financiare është ndarë në kuadër të thirrjes publike për projektet e organizatave joqeveritare që mbështesin dhe promovojnë nxënësit romë, ashkalinj dhe egjiptianë në qendrat mësimore.
Kjo skemë financimi zbatohet që nga viti 2021 dhe shërben si mekanizëm bashkëpunimi ndërmjet ministrisë dhe organizatave që menaxhojnë qendrat mësimore.
Për vitin shkollor 2026/2027, shuma e ndarë ka shënuar rritje të konsiderueshme, nga 250 mijë euro sa ishin ndarë vitin e kaluar, në 370 mijë euro këtë vit.
Përmes kësaj mbështetjeje, MASh synon të mundësojë vazhdimësinë e shërbimeve për nxënësit dhe të kontribuojë në përfshirjen, barazinë dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit për fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian./KultPlus.com