Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Shefja e grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëria Nagavci e ka vlerësuar akt të paprecedent dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.
“Shpërndarja e Kuvendit paraqet një akt tp paprecedent i cili bie ndesh me rendit tonëp kushtetuesd dhe ne do tëI drejtojhemi gjyukatpës kushtetuese për këtë. Nuk ka asnjë arsye se pse duhej të ndodhte një akt I tillë sioyt në mëngjes”, ka theksuar Nagavci.
Ajo tha se me kërkesën e qeverisë, sot, në orën 14:00 ka qenë e ftuar një seancë parlamentare për shqyrtimin e marrëveshjeve parlamentare në vlerë prej 100 milionë eurove projekte në interes të qytetarëve. Ajo ka thënë se në këtë seancë ishin paraparë ratifikimi i marrëveshjes së kredisë për projektin e rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë, marrëveshja e kredisë për investime për projektin energjia diellore në KEK, marrëveshja për rindërtim dhe zhvillim për impiantin e ujërave të zeza dhe marrëveshja e kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike.
“Duhet ta bëjmë të qartë për qytetarët, ne kemi qenë të vetëdijshëm se ka shumë palë e grupe të interesit, të cilave u ka penguar mbështetja e madhe qytetare për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Kurti. Gjithsesi, ne kemi bërë gjithë çfarë ka qenë në dorën tonë për të shmangur edhe një palë zgjedhje”, tha tutje Nagavci.
Ajo theksoi se që nga certifikimi i rezultateve të fundit të procesit zgjedhor dhe menjëherë pas konstituimit të institucioneve, si subjekt politik janë marrë intensivisht me çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke qenë se për këtë proces nevojiten mbi 80 deputetë.
“Si do të mund të arrinim një zgjidhje kur opozita as nuk propozoi kandidat, as nuk qëndroi në sallë, as nuk votoi për asnjë kandidat, e as nuk e konsideroi mundësinë e ndryshimit të kushtetues që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët”, shtoi tutje Nagavci.
Sipas saj, e gjendur në këto rrethana, përballë një bllokimi të plotë nga faktorët politikë, Lëvizja Vetëvendosje me qëllim që të shmangte zgjedhjet e reja, vendosi që të propozojë kandidatin e saj për president Glauk Konjufca.
“Edhe pas propozimit të tij ne lamë hapësirë për diskutim me opozitën dhe ofruam mundësinë që edhe ata të ofronin kandidatin e tyre, duke ia përsëritur gatishmërinë tonë për t’iu dhënë nënshkrimet e nevojshme. Përgjigja e opozitës në vazhdimësi ishte ‘Jo’. Asnjë propozim, asnjë emër, asnjë pranim të ofertës për nënshkrim. Asgjë tjetër, përveç se jo. LVV në përputhje me rezultatin e saj zgjedhor në vazhdimësi i ka ofruar alternativat për shmangie të zgjedhjeve, por natyrisht kjo është bërë e vështirë kur jemi përballur vazhdimisht me ‘Jo’ dhe asnjë propozim konkret”, nënvizoi Nagavci.
Rrustemi: Presim masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për dekretin e presidentes
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se veprimi i sotëm për ta shpërndarë legjislaturën e dhjetë është veprim në kundërshtim me Kushtetutën.
“Ky është veprim qartazi arbitrar që bie ndesh me bazën juridike, me bazën kushtetuese dhe natyrisht cenon funksionimin kushtetues të institucioneve. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk ka asnjë boshllëk kushtetues për sa i përket rrethanave të shpërndarjes së Kuvendit”, tha Rrustemi.
Në kontekstin aktual për sa i përket zgjedhjes së presidentit, sipas Rrustemit, Kushtetuta i parasheh dy momentet e shpërndarjes së Kuvendit dhe natyrisht shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Momenti i parë sipas nenit 86 paragrafi 6, kur pas nisjes së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Republikës, edhe në raundin e tretë me pjesëmarrje dhe me kuorum dështon zgjedhja e presidentit, qoftë edhe me 61 vota pro, moment që nuk është në situatën aktuale. Dhe rrethana e dytë është që pas fillimit të procedurës, brenda 60 ditëve Kuvendi i Kosovës nuk arrin të zgjedhë një president pavarësisht epilogut, e ne sot jemi në ditën e parë të afatit 60-ditor”, shtoi ai.
Sipas Rrustemit eventualisht shpërndarja e kuvendit mund të ndodhte më 4 maj, në përputhje me kushtetutën.
“Gjithsesi do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Presim masën e përkohshme për të ndaluar dhe kufizuar pasojat juridike të këtij dekreti. Duhet ta themi edhe një gjë, përtej interpretimit të gjykimit të ftoftë kushtetues, që është krejtësisht i pabazuar, nuk ka pasur kurrfarë urgjence, as në rrafshin politik institucional për ta shpërndarë kuvendin. Nuk ka pas në rend dite Kuvendi i Kosovës ndonjë vendim apo veprim të dëmshëm për interesat e Republikës së Kosovës për të cenuar integritetin territorial, për të marrë ndonjë vendim që cenon rendin kushtetues”, tha Rrustemi.
Madje, ai tha se në rend dite Kuvendi i Kosovës kishte ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare të vlefshme për qytetarët e Republikës me mbi 100 milionë euro. /RTKlive