Lidhja e Prizrenit, Osmani: Model dhe frymëzim i shumë brezave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e 145 vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Osmani gjatë fjalës së saj tha se Lidhja e Prizrenit ka shërbyer si model i shumë brezave intelektualësh, dijetarësh, shkrimtarësh e politikanë.

“Lidhja e Prizrenit përvjetorin e së cilës po e shënojmë sot ka shërbyer si model i përhershëm nga i cili janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh, dijetarësh, shkrimtarësh, e politikanësh. Dhe nga i cili kanë buruar projekte të tjera të tipit nacional e kulturorë sikurse ai i viteve të 90-ta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Tutje ajo tha se pas kësaj ngjarje të rëndësishme, vendi pas dy ditësh do të shënojë përvjetorin e “Ditës së Çlirimit të Kosovës”.

“Në frymën e Lidhjes së Prizrenit vetëm pas dy ditësh ne do ta shënojmë një tjetër të arritur të madhe të popullit të shqiptarë. Do ta shënojmë ‘Ditën e Çlirimit të Kosovës’ dhe korrigjimin e një padrejtësie të madhe e cila u qe bërë shqiptarëve të Kosovës…”, u shpreh ajo.

Osmani tutje tha se “liria e Kosovës erdhi përmes UÇK, të popullit të Kosovës dhe përkrahjes së pakusht të aleatëve tanë, e ndaj të cilëve do të jemi gjithmonë falënderues. Por, edhe si rezultat i një solidariteti të skajshëm të shqiptarëve, modelin e së cilës ne e kemi gjetur të trashëguar nga Lidhja e Prizrenit”. /Telegrafi/

Read Previous

Kurti nga Lidhja e Prizrenit: Besnikërisht rreth Lidhjes, avancojmë interesat tona me aleatët amerikanë dhe evropianë

Read Next

145 vjet nga Lidhja e Prizrenit, Begaj: Ishte kjo që projektoi krijimin e një shteti shqiptar të lirë e të pavarur