AI hyn fuqishëm në Hollywood, Netflix e përdor në qindra filma
Liderët e opozitës në seancën solemne të Kuvendit për 18-vjetorin e pavarësisë kanë kërkuar liri për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po mbahen padrejtësisht në Gjykatën Speciale të Hagës, me pretendimin se kanë kryer krime lufte.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në fjalimin e tij ka kërkuar drejtësi që nuk relativizon sakrificën dhe që nuk i nënshtrohet politikës:
“Lufta jonë çlirimtare po gjykohet; ata kanë kontribut në shtet. Sot duhet ta themi qartë dhe me vendosmëri: besimi i Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare nuk duhet tradhtuar. Nuk lejojmë që historia të rishkruhet në kurriz të sakrificës sonë. Nuk pranojmë barazi artificiale mes agresorit shtetëror serb dhe rezistencës sonë për liri”.
Hamza ka potencuar se nuk pranojnë që drejtësia të bëhet selektive.
“UÇK-ja nuk ishte ndërmarrje kriminale, por ushtri çlirimtare. Ishte përgjigje ndaj shtypjes dhe zëri i një populli që nuk kishte më rrugë tjetër. Kosova kërkon drejtësi, por drejtësi të vërtetë – drejtësi që nuk e relativizon sakrificën dhe që nuk i nënshtrohet politikës. Liria jonë nuk është krim, pavarësia jonë nuk është gabim historike”.
Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vetë populli i Kosovës dhe se nuk ka asnjë forcë që mund të zbehë lavdinë e kësaj lufte të pastër.
“Ushtria Çlirimtare ishte përgjigje e një populli të shtypur ndaj dhunës sistematike dhe krimeve kundër njerëzimit. UÇK-ja u bë faktor i pashmangshëm i realitetit politik dhe historik, duke u ndërlidhur me përpjekje diplomatike. Nuk ka proces, nuk ka forcë që mund të ndryshojë lavdinë e kësaj lufte të pastër dhe historike të popullit të Kosovës dhe ushtrisë sonë çlirimtare. UÇK-ja është vetë populli i Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë janë simbol i lirisë.
“Janë katër emra që janë simbol i lirisë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët padrejtësisht po përballen me një proces, por për të cilët jemi të bindur se do të shpallen të pafajshëm, sepse besojmë në luftën tonë të drejtë për liri dhe në drejtësinë ndërkombëtare”, deklaroi Tahiri.
18-vjetori i pavarësisë ka gjetur Kosovën mes festës dhe protestës. Nga ora 14:00 në Prishtinë do të mbahet një protestë, e cila është mbështetur nga të gjitha figurat politike të vendit, si dhe nga ato të Shqipërisë.
Kjo protestë vjen pas deklaratave përfundimtare të procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku Prokuroria Speciale e Hagës kërkoi dënim prej 45 vjetësh për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të shpallet gjatë këtij viti. Pas përfundimit të deklaratave përfundimtare, Specialja ka kohë 90 ditë për të shpallur vendimin përfundimtar, nëse i nevojitet kohë shtesë, mund t’u jepet edhe 60 ditë. /Albanianpost.com