Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se askush nuk mund ta njollosë luftën e Ushtria Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si luftë të drejtë, çlirimtare dhe të udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet. Sipas saj, pa kontributin e jashtëzakonshëm të UÇK-së, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realitet.
Presidentja Osmani në vendin kur bëhet parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës tha se pikërisht në rrugën “Luan Haradinaj” përballë monumentit “Newborn” e krah monumentit “Heroinat” po shënohet 18 vjetori i pavarësisë.
Ajo theksoi se Kosova sot është më e fortë se kurrë, më e përgatitur dhe më e vendosur për të ecur përpara pavarësisht sfidave, duke shtuar se vendi po ndërton kapacitetet mbrojtëse me përgjegjësi dhe vizion. Osmani u shpreh se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës po dëshmojnë çdo ditë profesionalizëm, duke treguar se Kosova është gati për anëtarësim në NATO.
“Në këtë 17 shkurt jemi mbledhur këtu, sepse historia na ka ftuar pikërisht në këtë vend. Këtu në këtë vend qëndron monumenti “New Born”, shenja identifikuese e shtetit tonë, i cili dha kumtin e shumëpritur se Kosova ishte bërë shtet. Në këtë përvjetor domethënës jemi në rrugën “Luan Haradinaj”, e cila mban emrin e një luftëtari të shquar, një heroi të UÇK-së. Një emër që na kujton se ky shtet u ndërtua nga guximi i atyre që zgjodhën të mos heshtin përballë padrejtësisë. Gjaku i tyre qëndron në themelet e shtetit tonë të pavarur e sovran. Pak metra nga këtu qëndron monumenti “Heroinat”, një kujtesë e fuqishme, por edhe e dhimbshme për afro 20 mijë gra të dhunuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë gjatë luftës së viteve ‘98-‘99. Ai monument na kujton se plagët që lufta la pas, dhimbjet që nuk shihen gjithmonë, por që jetojnë gjatë në ndërgjegjen tonë kolektive nuk do të harrohen kurrë. Na kujton se liria ka çmim të lartë dhe se drejtësia për mijëra të vrarë, përfshirë edhe fëmijë, mbetet një obligim i përhershëm yni. Prandaj, sot në këtë hapësirë ku lindja e shtetit, sakrifica e të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe plagët e luftës qëndrojnë bashkë në një vend, kujtojmë përpjekjen e brezave që u vulos pikërisht në shkurtin e vitit 2008”, tha Osmani.
Presidentja dha gjithashtu mbështetje të fuqishme për marshin për drejtësi që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, duke theksuar se qytetarët kërkojnë vetëm drejtësi dhe se mbrojtja e luftës çlirimtare është mbrojtje e vetë shtetit të Kosovës.
Në fjalimin e saj, presidentja kujtoi gjithashtu sakrificën e luftëtarëve dhe viktimave të luftës, përfshirë rreth 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës së viteve 1998-1999 nga regjimi i Serbisë, duke theksuar se drejtësia për mijëra të vrarë, përfshirë fëmijë, mbetet obligim i përhershëm.
“Para 18 viteve Kosova u shpall shtet, por shumë para kësaj dite Kosova kishte fituar lirinë. Sot para jush qëndron një Republikë 18 vjeçare, e lindur nga sakrifica, e ushqyer nga qëndresa dhe e forcuar nga shpirti i popullit të saj, nga secili prej jush. Kosova është republikë e pavarur dhe sovrane, e guximshme e fortë, krenare dhe me miq të shumtë…Askush nuk mund të njollosë luftën e UÇK-së, ajo ishte luftë e drejtë, çlirimtare, mbrojtje e udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet. Pa këtë kontribut të jashtëzakonshëm të UÇK-së, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realiteti që festojmë sot…një histori e shkruar me gjak, nuk mund të fshihet e as nuk mund të shtrembërohet nga askush. Pas pak në sheshin “Skënderbeu”, qytetarët tanë do të fillojnë marshin për drejtësi. Si presidente e Republikës së Kosovës i jap mbështetje të fuqishme këtij marshi, sepse qytetarët tanë nuk kërkojnë asgjë tjetër, pos drejtësisë. Sepse qytetarët tanë e dinë mirë se mbrojtja e luftës sonë çlirimtare është mbrojtje e shtetit të Kosovës…Sot Kosova po ndërton kapacitet e saj të mbrojtjes me përgjegjësi dhe vizion, sot trashëgimtarët e UÇK-së, forca jonë e sigurisë dhe Policia e Kosovës po na bëjnë çdo ditë krenarë. Ata e dëshmojnë se Kosova është gati për NATO. Sot Kosova është më e fortë se kurrë, më e përgatitur se kurrë më parë, më e vendosur se çdoherë për të ecur përpara pavarësisht sfidave”, shtoi Osmani. /KosovaPress/