Legalizimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri, ç’duhet të dini

“Do të legalizojmë kanabisin dhe do hapim një front të ri pune dhe rritje ekonomike, përveç rritjes së aspektit teknologjik. Çfarë qytetarët kanë thënë do të realizohet,” u shpreh kryeministri Rama ditë më parë në lidhje me legalizimin e kanabisit mjekësor. Ai iu referua një pyetësori ku nga 500,000 shqiptarë, 308 mijë qytetarë ishin pro legalizimit. Por çfarë do të thotë kjo?

Shqipëria, ligji dhe kanabisi

Në fillim të viteve 2000, Shqipëria iu bashkua Konventës së Përbashkët për Drogat Narkotike, që është një traktat ndërkombëtar që kontrollon aktivitetet për drogat – prodhimi, tregtimi dhe përdorimi – si edhe vendos një sistem rregullat (licensat, masat për studimet kërkimore etj).

Në Kodin Penal të disa viteve më parë, ndalohej përdorimi, prodhimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike (ku bën pjesë edhe kanabisi), megjithatë së fundmi janë bërë përpjekje për ndryshime, si për shembull mbajtja e kanabisit për përdorim personal në doza të vogla.

Legalizimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri: Ç’duhet

Ç’do të thotë të legalizosh kanabisin mjekësor?

Kanabisi do të prodhohet në vend dhe mund të eksportohet jashtë. Kanabisi mjekësor nuk do të shitet në dyqane të zakonshme, por vetëm në farmaci dhe me rekomandim nga mjeku. Vetëm kompanitë që do të aplikojnë për leje dhe do të miratohen nga qeveria mund të kultivojnë kanabisin mjekësor. Pra, nuk do të mund ta kultivojë kushdo.

Disa nga vendet europiane ku është legalizuar kanabisi mjekësor janë: Gjermania, Greqia, Italia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Portugalia, Zvicra, Mbretëri e Bashkuar, Hollanda etj.

Legalizimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri: Ç’duhet

Cilat janë përfitimet (shëndetësore)?

Marijuana mjekësore është një term për derivatet e bimës Cannabis sativa që përdoren për të lehtësuar simptomat e shkaktuara nga gjendje të caktuara mjekësore. Marijuana mjekësore njihet edhe si kanabis medicinal. Studimet raportojnë se kanabisi medicinal ka përfitime të mundshme për disa gjendje shëndetësore, si për shembull:

– sëmundja e Alzheimerit
– skleroza laterale amiotrofike (ALS)
– HIV/AIDS
– sëmundja Crohn
– epilepsi
– glaukoma
– sklerozë e shumëfishtë dhe spazma të muskujve
– dhimbje të forta dhe kronike
– të përziera ose të vjella të shkaktuara nga kanceri

Kanabisi medicinal vjen në forma të ndryshme, duke përfshirë:
– pilula
– vaj
– pluhur
– gjethe të thara

/Anabelmedia/

Read Previous

Polonia, fortesa e Europës

Read Next

Manchester United tjetër zhgënjim, mposhtet nga Everton