Lajçak takon përfaqësuesit e sektorit privat në Kosovë, ja çfarë u diskutua

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se në takimin që ka mbajtur me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, është diskutuar sek omuniteti i biznesit është shumë i rëndësishëm për stabilitetin politik dhe publik, bizneset në Kosovë ndajnë dëshirën për të ecur përpara dhe larg status quos.

Bashkëpunimi ekonomik rajonal mund të përmirësojë shumë gjendjen aktuale ekonomike në vend.

I deleguari i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak deklaroi se dialogu Kosovë-Serbi ka çuar në shumë përfitime sa i përket ekonomisë dhe tregtisë në Kosovë.

“Sipas Lajçak, dialogu i ka lejuar Kosovës që të ushtrojë kontroll më të madh mbi kufijtë e saj, duke mbledhur në mënyrë efektive tarifat. Vetëm në muajin e parë të vitit 2021, ka pasur një rritje prej 25% të të ardhurave nga tregtia në Kosovë, tha Lajçak. Për më tepër, Lajçak ngriti rastin e kodit të telefonimit të Kosovës, që do të thotë se ne nuk duhet të paguajmë Slloveninë për të përdorur kodin e tyre, si dhe krijimin e kontrollit tonë të energjisë, i cili i mundëson Kosovës të mbledhë tarifat e transitit. Ai po ashtu tha se krijimi i tregut të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor është prioritet i Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatën e OEK.

“Në takim u theksua gjithashtu shqetësimi për mbetjen e izoluar të Kosovës për shkak të mosliberalizimit të vizave. Përderisa dialogu ka sjellë shumë përfitime, ka pasur rezerva të përcjella nga pjesëmarrësit se dialogu ndonjëherë mund të bëhet maskim për mos adresimin e çështjeve reale me të cilat ballafaqohet Kosova, përfshirë edhe barrierat tregtare”.

Tutje thuhet se Lajçak shprehu gatishmërinë e tij për të adresuar të gjitha shqetësimet e shprehura gjatë takimit. Ai shpjegoi se një qasje pragmatike për të adresuar në mënyrë adekuate shqetësimet është përmes dialogut duke theksuar kështu rëndësinë e mbështetjes nga komuniteti i biznesit për dialogun.

/GazetaExpress/

Read Previous

11 gra shtatzëna me Covid-19 janë trajtuar në spitalin e Gjakovës në valën e re të pandemisë

Read Next

Shtyllë multifunksionale në SHFMU “Anton Çetta” në Dol