Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Lahuta, një nga simbolet më të hershme dhe më përfaqësuese të kulturës shqiptare, është përfshirë zyrtarisht në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Ky vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar u shënua me një aktivitet kulturor të mbajtur në HangArt, në Parkun e Artit në Kinostudio, ku u bashkuan lahutarë, mjeshtër artizanë dhe dashamirë të trashëgimisë kulturore.
Lajmin e bëri të ditur ministri Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë si një moment historik për pasurinë kulturore të Shqipërisë. Sipas tij, mbrëmja ishte e mbushur me emocione dhe krenari, ndërsa tradita u përcoll përmes performancave artistike, dëshmive autentike dhe dialogut të hapur me ata që e mbajnë gjallë këtë trashëgimi ndër breza.
“Në HangArt, tek Parku i Artit në Kinostudio, mes tingujve të lahutës, mjeshtrave duarartë dhe lahutarëve, në një moment historik për pasurinë tonë kulturore: Lahuta në UNESCO!”, shkruan Gonxhja.
Ai thekson se lahuta përfaqëson shumë më tepër sesa një instrument muzikor. Me vetëm një tel, ajo mbart mijëra rrëfime, duke qenë një simbol i identitetit, historisë dhe kujtesës shpirtërore të shqiptarëve ndër shekuj.
“Krenarë për Shqipërinë! Krenarë për rrënjët tona! Krenarë për një identitet që sot e njeh e gjithë bota!”, shprehet ministri në reagimin e tij.
Futja e lahutës në listën e UNESCO-s konsiderohet një arritje e madhe për kulturën shqiptare, pasi garanton mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie të çmuar në nivel ndërkombëtar, duke e bërë atë pjesë të trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit./KultPlus.com