“La Repubblica”: Ukraina shtyhet drejt kompromiseve të mëdha, ndërsa Rusia nuk heq dorë nga asgjë

Historiani ruso-britanik Sergej Radchenko, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” dhe ekspert i Luftës së Ftohtë, vlerëson se pavarësisht përpjekjeve për ta përafruar planin prej 28-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump me qëndrimin e Kievit, realisht situata nuk ka ndryshuar, sipas “La Repubblica”.

Sipas tij, sot bisedimet janë në të njëjtën pikë si një muaj më parë, kur Trump përpiqej të ndërmjetësonte armëpushimin duke ushtruar presion mbi të dyja palët.

Tonet mund të jenë më të buta, por realiteti mbetet i njëjtë…

Radchenko tha se ekzistojnë dy skenare: nëse Ukraina tërhiqet nga Donbasi, kjo do të ishte një fitore e madhe për Putinin. Nëse kjo nuk ndodh, nuk pritet asnjë progres i shpejtë.

Sipas tij, Trump po e tepron me optimizmin, pasi nuk ka shenja që Rusia është gati të pranojë një plan të ri paqeje.

Pse armëpushimi nuk shihet si zgjidhje?

Sipas Radchenko, Putini e ka dhënë përgjigjen e tij me bombardimet e fundit në Kiev.

Mesazhi është i qartë: Rusia ka kapacitet të vazhdojë luftën. Qëllimi është të ushtrohet presion mbi Ukrainën që të pranojë kushtet ruse. Putini nuk pranon ndërmjetësime dhe nuk ka hequr dorë nga kërkesat maksimale, ndërsa Ukraina është detyruar të bëjë lëshime.

A mund ta ndalojë SHBA-ja Putinin?

Gjithçka varet nga reagimi i Trump nëse Putini refuzon planin dhe vazhdon luftën.

Radchenko ngre dyshime se nëse Trump vazhdon mbështetjen për Ukrainën apo tërhiqet, duke ia lënë barrën Evropës dhe Kievit, ekziston edhe rreziku që presioni të shtohet mbi Zelensky për lëshime të tjera.

A do të përfundojë shpejt lufta?

Sipas Radchenko, lufta nuk do të përfundojë. Edhe nëse SHBA-të dhe Ukraina bien dakord, Rusia do të paraqesë kërkesa të reja. Putini nuk është i gatshëm të bëjë as lëshime minimale.

Çfarë kërkon në të vërtetë Trump?

Ai kërkon fundin e luftës që të paraqitet si njeriu që solli paqen, pa u shqetësuar shumë për kushtet. Kjo e vendos Zelensky në një pozitë shumë të vështirë: Ukraina shtyhet drejt kompromiseve të mëdha, ndërsa Rusia nuk lëshon asgjë.

Garancitë e sigurisë

Zelensky ka nevojë për garanci sigurie për t’ia justifikuar popullit lëshimet territoriale.

Por, Radchenko paralajmëron se këto garanci pritet të jenë të paqarta dhe jo detyruese për SHBA-në. Trump nuk dëshiron të rrezikojë një përballje me një fuqi bërthamore si Rusia.

Roli i Evropës

Sipas Radchenkos, evropianët janë anashkaluar dhe kjo është shumë problematike.

Ata duhet të ishin pjesë aktive e negociatave, pasi kanë një rol kyç në sanksione dhe garancitë e sigurisë. Megjithatë, deri tani, Evropa nuk ka ditur t’i përdorë siç duhet mjetet që ka në dorë. /ATSH/

Read Previous

Mediat gjermane shohin fundin e ngërçit politik pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje

Read Next

Manuel Neuer: Kam qenë shumë pranë transferimit në Premier Ligë