Kurti: Zvogëlimi i pranisë së Policisë s’do jetë i menjëhershëm, tërheqja vlen vetëm për ndërtesat komunale dhe rrethinën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit për zvogëlimin për 25 për qind të prezencës së Policisë së Kosovës në dhe rreth objekteve komunale në veri të vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in.

“Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë”, ka thënë Kurti.

Ai është shprehur se ashtu siç është bërë e ditur edhe para më shumë se një muaji, nuk do të ketë zvogëlim të menjëhershëm dhe të përnjëhershëm të Policisë, dhe zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre.

Sipas tij, Policia do vazhdojë të qëndrojë në zonën e veriut, ku thotë se ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit.

“Ashtu qysh kemi thënë para më shumë se dy muajve: 1) nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional; 2) zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”, shkroi ai.

Tutje kryeministri theksoi se Marrëveshja e Bratislavës po zbatohet me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratislavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim.

“Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior”, tha ai.

Kryeministri ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme, prej atyre që janë pasojë e keqkuptimit, moskuptimit a keqinterpretimit të situatës dhe zhvillimeve e deri tek ato që janë dëshira anti-qeveritare të transmetuara publikisht si lajme faktike.

“Lufta hibride kundër Republikës së pavarur të Kosovës dhe qeverisë së saj demokratike e progresiste do të dështojë”, ka thënë Kurti.

Situata në veri është tensionuar në fund të majit pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.

Për disa javë, para ndërtesave janë mbajtur protesta çdo ditë, me kërkesë që kryetarët të tërhiqen, bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të angazhuar në atë zonë.

Një tjetër pikë e marrëveshjes parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Mirëpo, së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.

“Në do të sigurohemi që kjo përvojë e re që do ta kemi me ndërprerjen e mandatit të këtyre kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë aq e sigurt saqë të jetë e pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik”, ka thënë Kurti, gjatë një konference për media.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë, dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Mbappe i hapur për t’iu bashkuar Chelseat

Read Next

Shfaqen pamjet kur droni detar ukrainas sulmon anijen ruse