Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë për qeverinë e re, duke shikuar interesin shtetëror dhe jo atë partiak.
Ai para deputetëve ka thënë se votimi për qeverinë e re, sot është sikur një akt për shërbimin ndaj vendit dhe jo thjesht si një formalitet politik.
Kurti tha se po të pranohej oferta për bashkëqeverisje, sot do t’i propozohej Kuvendit një qeveri e re e koalicionit. Sipas tij, vota e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit, kishte përcaktuar se duhet të ketë një koalicion qeverisës, mirëpo partitë parlamentare nuk kishin gatishmëri për një gjë të tillë.
Ai renditi edhe pasojat që do t’i ketë vendi në rast që nuk votohet qeveria e re, pa buxhet të miratuar për vitin 2026.
“Në këto gjashtë muaj, përpjekjet për formimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disahershme dhe shtetërore. Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave iu bë ftesë nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar se duhet të kishte një koalicion qeverisës. Po të pranohej oferta për bashkëpunim, sot do të kishim mundësi t’i jepnim vendit qeverinë e re të koalicionit, por do t’i kishim edhe numrat e nevojshëm për sfidën e zgjedhjes së presidentit që na pret pas katër muajsh. Sidoqoftë, si pasojë e mosgatishmërisë nga partitë parlamentare për të marrë përgjegjësinë që ‘iu ka deleguar qytetari me votë’, sot ndodhemi para një situate ku qeveria e re propozohet për votim jo si produkt i një koalicioni politik, por si akt i një shërbimi ndaj vendit. Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e qeverisë së re, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja pa shumë institucione funksionale dhe pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të thotë rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensioneve, shtesave për fëmijë, asistencës sociale dhe funksionimin e organeve të rendit dhe sigurisë…Ftoj deputetët që të votojnë jo thjesht sipas interesit partiak, por për interes publik dhe shtetëror, që t’i japim vendit qeverinë e re të prodhuar nga rezultati zgjedhor i 9 shkurtit dhe t’u mundësojmë institucioneve vijimësi për ta votuar qeverinë e ardhshme,” tha ai.
Kurti përmendi pesë vendimet e para që, sipas tij, do t’i ndërmerrte në javën e parë posa të zgjidhet kryeministër.
“Pesë vendimet e para që do t’i marrim si qeveri në javën e parë do të jenë: miratimi i buxhetit për vitin 2026, vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë 150 euro, vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me 50 për qind mbi nivelin aktual që prek 400 mijë fëmijë, vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro që prek një pjesë të madhe të sektorit privat dhe miratimi i ndryshimit e plotësimit të ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët e UÇK-së. Janë edhe një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare që janë në pritje, përfshirë edhe Planin e Rritjes së BE-së. Është në dorën tuaj, të nderuar deputetë, që të na mundësoni të vazhdojmë punët e mira të vendit. Normalisht edhe mund të kemi mospajtime, por kjo është vlera e demokracisë. Demokracia ka zëra të ndryshëm dhe debate të forta. Kjo nuk është dobësi, por fuqi,” theksoi Kurti. /KosovaPress/