Kurti për Betejën e Koshares: T’i kujtojmë me nderime të merituara luftëtarët dhe veteranët e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 25 vjetorit të Betejës së Koshare, ka thënë se politika përfaqësuese dhe aktivizmi shoqëror nuk duhet të shihen të ndara nga historia dhe se zhvillimet e të së kaluarës, “sot i shohim si procese historike e i lexojmë si histori në të tashmen”.

“Në mes të këtij viti do të përmbushet një çerek shekulli kur vendi ynë Kosova, dhe populli i saj u çlirua nga Serbia pushtuese dhe regjimi kriminal e terrorist i Beogradit”, tha Kurti.

“E deri në mes të muajit qershor kur do ta shënojmë ditën e çlirimit të Kosovës, ka shumë data dhe ngjarje me peshë historike”, shtoi.

Në vigjilje të përvjetorit të 25 të fillimit të luftimeve të Betejës së Koshares, Kurti tha “le ta kujtojmë me nderime të merituara këtë betejë dhe luftëtarët e veteranët e saj”.

Beteja e Koshares zgjati mes luftimesh nga 9 prilli e deri më 10 qershor të vitit 1999.

“Panorama e madhe e historisë së Betejës së Koshares sjell imazhin e tërë luftës së Kosovës si në një format miniaturë”, theksoi ai.

Kurti potencoi se aty e shohim se në luftime e Betejës së Koshares janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë. /Albanianpost.com

Read Previous

Janë ndërmarrë masat e nevojshme ndaj kompanisë “Apetit”

Read Next

Konjufca: Beteja e Kosharës, sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të UÇK-së