Kurti: Objektivi ynë i radhës është menaxhimi dhe funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore

Në ditën ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se njohin dhe vlerësojnë pasurinë e shumëllojshme të shtetit tonë, dhe rolin e saj në promovim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Kurti në postimin e bërë në Facebook ka shkruar se, respektojnë diversitetin kulturor, si dhe promovojnë historinë e identitetin dhe mbështesin zhvillimin e paqen.

“Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, llojllojshmëria e së cilës sot shprehet në formë të krijimtarisë materiale dhe shpirtërore, e trashëguar nga e kaluara jonë. Përfitimet për shoqërinë nga mbrojta e trashëgimisë kulturore janë të shumta”, ka theksuari.

Tutje, kryeministri ka shkruar edhe për disa restaurime që kanë bërë në objekte fetare.

“Kemi restauruar dhe vazhdojmë të restaurojmë xhami, hamame, teqe, kisha katolike, kisha ortodokse, zona historike, kulla e shtëpi tradicionale, mulli, ndërtesa historike e publike për të promovuar harmoninë ndër-fetare si vlerë universale të shoqërisë sonë dhe historinë tonë të pasur kombëtare e shoqërore. Shumë punë janë bërë dhe akoma më shumë punë na presin në fuqizimin e muzeve publik ku ruhen dëshmitë materiale të lashtësisë, dhe pasqyrohen traditat e vlerat e trashëgimisë shpirtërore kulturore të popullit tonë”, thotë ai.

Kurti më tej ka shkruar se “Vazhdojmë me gërmime profesionale në lokalitetet tona arkeologjike, ndërsa ato po i bëjmë edhe me plane e njësi menaxhimi për t’i pritur më mirë vizitorët dhe edukuar më drejt fëmijët e të rinjtë tanë”.

“Kemi bërë hapa të mëdhenj për të dalë nga periudha e emergjencave. Objektivi ynë i radhës është menaxhimi dhe funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore. Bashkë do të sigurohemi që pasuria jonë kulturore të përkthehet në mirëqenie për qytetarët tanë”, thotë tutje kryeministri.

/Telegrafi/

Read Previous

24 vjet nga masakra e Vushtrrisë, u vranë 68 shqiptarë

Read Next

Zhvillohet sot “Defender Europe 2023”, Rama: Ngjarja më e rëndësishme ushtarake e vitit