Kurti flet për arrestimin e Popoviqit, e akuzon Serbinë për nxitje të tensioneve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se deklaratat e Igor Popoviqit për UÇK-në përbëjnë rrezik jo veç për Kosovën, por Ballkanin Perëndimor. Ai ka thënë se ato janë të lidhura me politikën në Beograd të Serbisë.

“Deklaratat e tilla përbëjnë kërcënim të drejtpërprejtë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ato nuk duhet neglizhuar sepse vijnë nga një udhëheqës që kontrollon aparatin ushtarak dhe strukturat e sigurisë së një shteti, që historikisht ka shkelur të drejtat e shtetit fqinj, përfshirë kryerjen e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, ka thënë ai në konferencë për media.

Kurti ka thënë se në Kosovë secili që e shkel ligjin do të përballet me ligjin dhe se rasti i Igor Popoviqit, arrestuar mbi bazë të dyshimeve për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit etnik me 18 korrik sivjet, nuk është përjashtim.

“Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe komandant suprem i ushtrisë së një shtetit lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, s’mund të konsiderohet qëndrim inidvidual, por politikë shtetërore. Beogradi zyrtar tregon qartazi se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur arrestimin e gjashtë personave vitin e fundit, për spiunazh në bashkëpunim me Serbinë. Ka shtuar më tej se Serbia vazhdimisht ka instrumentalizuar grupet kriminale dhe terroriste për qëllime politike dhe shtetërore, duke përmendur rrëmbimin e policëve më 14 qershor 2023, sulmin ndaj KFOR-it më 29 maj 2023, sulmin kriminal në Banjskë në krye me Milan Radojcic, atë në kanalin e Ibër – Lepencit.

“Ky grup paramilitar atje vazhdon të mbështetet atje financiarisht në Beograd. Janë dokumentar së fundi raste kur anëtarët e këtij grupi janë përdorur për sigurimin personal të Vuçiq, duke qenë edhe më të afërt se mbrojtja e afërt dhe për shtypjen e protestave qytetare atje, çfarë dëshmon gjendjen e mjerrueshme të sundimit të ligjit”, ka thënë Kurti.

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar të dielën masën e paraburgimit prej një muaji Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyra për Kosovën”, e udhëhequr nga Petar Petkoviq. Vendimi është marrë pas arrestimit të tij, si pasojë e deklaratave fyese që ai kishte dhënë ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë një vizite në Rahovec.

Ndaj këtij arrestimi kishte reaguar Vuçiq, i cili ka thënë se provokim nga ana e Kurtit. “Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Kurti e ka humbur plotësisht arsyen dhe dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor,” ka deklaruar Vuçiq në televizionin Pink. /RTKlive

Read Previous

Cilat vetura po preken më shumë nga tarifat e Trump-it?

Read Next

“Kam bërë një ofertë konkrete”, Kurti jep detaje nga takimi me Limajn