Kurti bisedon me senatorin amerikan, i thotë se është gatshëm për vazhdimin e diskutimeve për planin evropian

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me senatorin amerikan Chris Murphy.

Kurti mbrëmë në një postim në Twitter kishte njoftuar për bisedën me senatorin Murphy, gjersa sot Zyra për media e Kryeministrisë njoftoi për bisedën telefonike dhe pikat e diskutimit.

“Gjatë kësaj telefonate ata folën për marrëdhëniet e veçanta dhe miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për progresin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës, siç u dëshmua edhe tash së fundmi nga Indeksi i Demokracisë Elektorale 2023 të institutit V-Dem, që renditë Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor.

U diskutua edhe për takimin e 27 shkurtit në Bruksel, nevojën për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe për gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.Reklama

Ndryshe, më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Planin evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Saktësisht, të dy liderët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ranë dakord se nuk nevojiten diskutime të mëtejshme mbi Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili potencialisht mund të hapë rrugën për zgjidhjen e problemeve.

Takimi radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është caktuar më 18 mars dhe pritet të diskutohet për planin e zbatimit. /Telegrafi/

Read Previous

Ndërprerja e punimeve në shkallët e Çabratit, komuna nuk përgjigjet

Read Next

Jo vetëm Firmino, edhe dy lojtarë të tjerë të Liverpoolit largohen në verë si të lirë