Kryetari i Mitrovicës së Veriut: Nuk presim probleme të hënën, veç kemi filluar demokratizimin e komunës

Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Eden Atiq, në një prononcim për mediumin shqiptar “Abc News”, tha se nuk pret që të paraqitet ndonjë problem në kryerjen e detyrave kushtetuese, përveç disa “problemeve administrative”.

Atiq, i cili fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje, theksoi se pas shumë vitesh ka filluar demokratizimi i kësaj komune të banuar kryesisht me serbë etnikë.

“Nesër (e hënë) nuk presim probleme, përveç problemeve administrative. Siç e dini pas shumë e shumë vitesh, unë si kryetar i ri i komunës së Mitrovicës së Veriut, mund të mburrem, veç kemi filluar demokratizimin e institucionit të komunës”, tha Atiq.

Ndonëse ceremonia e betimit të Kryetarit të Mitrovicës së Veriut nga radhët e partisë në pushtet, u bë në objektin komunal atje, kryetarët e rinj të Zubin-Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit do ta nisin detyrën në fshatra ku banojnë shqiptarët, larg objekteve komunale.

“Për hyrjen time këtu nuk ka pasur ndonjë problem, pasi prej nëntorit të vitit të kaluar, kemi ardhur 15 delegatë të rinj nga Komuna e Veriut të Mitrovicës dhe as atëherë nuk e kemi pasur asnjë problem”, pohoi Atiq, ndërsa shtoi se – megjithatë – në ditën e emërimit, pati një “miniprotestë” atje.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, por Atiq nuk sheh si problem.

“Mesa unë kam lexuar nga mediat, reagimi ishte që të mos vazhdonim më tutje, pasi institucionet e sigurisë e kanë bërë detyrën për të siguruar hyrjen e kryetarëve të komunave në godinat e tyre. Nuk po më duket shumë problematike”, potencoi Atiq.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

/AlbanianPost/

Read Previous

Policia shqiptare shton kontrollet e vijës bregdetare në nisje të sezonit veror

Read Next

Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme