Kryeministri polak Donald Tusk ka pohuar se Moska ka qëllime të këqija ndaj të gjithë botës së lirë, ku fqinjët e Rusisë janë të parët që janë shënjestruar.
Dronët paralizuan së fundmi aeroportin në Kopenhagen, kryeqytetin e Danimarkës, dhe më pas në Aalborg, qytetin e katërt më të madh të vendit.
I pyetur sot në lidhje me incidentin dhe provokime të tjera të mundshme nga Rusia, ai tha se ‘’ishte në kontakt me udhëheqësit e vendeve që, si Polonia, kanë arsye për shqetësim”.
“Për mua, është shumë e rëndësishme që po dëshmojmë një konsolidim të qartë të opinioneve. Aleatët evropianë nuk kanë qenë kurrë kaq të bashkuar për çështjen e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, për faktin se Ukraina duhet të mbështetet kundër agresionit rus dhe se ne duhet të jemi vërtet vigjilentë”, shtoi ai.
“Rusia ka qëllime të këqija ndaj të gjithë botës së lirë dhe ata që kufizohen me të janë, sigurisht, të parët që preken, si shtetet baltike, Polonia, Ukraina, sigurisht, dhe vendet skandinave”, shtoi ai.
Tusk tha gjithashtu se do të flasë së shpejti me kryeministren daneze, Mette Frederiksen dhe do të diskutojë çështjen e mbështetjes financiare të shteteve anëtare për Ukrainën me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. /ATSH-PAP/