Kryediplomati kroat: Liberalizimi i vizave për Kosovën është hap i madh përpara

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Gërliç-Radman, në prag të nisjes së mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), ka thënë të hënën se përjashtimi nga kërkesa për pajisje me vizë për qytetarët e Kosovës (1 janar 2024) është një hap i madh përpara, derisa ka shtuar se zgjerimi është akoma prioriteti kyç i BE-së.

“Shpresojmë të shohim përparim deri në fund të vitit, veçanërisht kur bëhet fjalë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën dhe hapjen e kapitullit të parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe gjithashtu krahas tyre, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës prej 1 janarit 2024 është një hap i madh përpara”, ka thënë kryediplomati kroat.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, të hënën do të presë në kryqendren evropiane ministrat e jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku pritet të adresohen sfidat aktuale gjeopolitike, posaçërisht nën trysninë e ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në rajon është akoma e brishtë.

Tema kryesore pritet të jetë e ardhmja e politikës së zgjerimit të BE-së. Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme, ndërsa plani i rritjes së BE-së për rajonin përfshin investime prej 6 miliardë euro dhe akses në tregun e brendshëm evropian në fusha të caktuara.

Takimi ministror BE – Ballkani Perëndimor në kuadër të kryediplomatëve rajonalë, sipas njoftimit, pritet të fillojë nga ora 17:30 pasdite, derisa pjesëmarrëse në këtë takim të nivelit të lartë, në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të BE-së, pritet të jetë edhe Donika Gërvalla-Schwarz, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës (MPJD). /Albanianpost.com

Read Previous

Ndahen 53 grante në mbi 500 mijë euro për bizneset në pronësi të grave në Kosovë

Read Next

Rritet numri i inspektorëve të punës