KQZ mban mbledhje, pritet miratimi i fletëvotimit për 7 qershor, plani i sigurisë dhe kutitë postare për votim me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku në fokus do të jenë përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të caktuara për 7 qershor.

Mbledhja e KQZ-së do të zhvillohet në zyrat e institucionit duke filluar nga ora 13:30, nën udhëheqjen e kryesuesit të mbledhjes, Kreshnik Radoniqi. 

Në rendin e ditës janë paraparë disa pika që lidhen drejtpërdrejt me procesin zgjedhor, përfshirë shqyrtimin dhe miratimin e planit operacional të sigurisë, programin e trajnimeve për stafin zgjedhor, si dhe miratimin e kutive postare jashtë Kosovës për votimin përmes postës. 

Po ashtu, anëtarët e KQZ-së do të shqyrtojnë dhe miratojnë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit dhe broshurës informuese për zgjedhjet parlamentare. 

Në kuadër të mbledhjes do të trajtohen edhe çështje financiare, përfshirë raportin financiar tremujor për periudhën janar-mars 2026, raportin e derivateve, si dhe draft-vendimin për pagesat dhe mëditjet e stafit të angazhuar në qendrat e votimit, qendrat komunale të numërimit dhe përfaqësitë diplomatike.

Kjo mbledhje konsiderohet me rëndësi të veçantë në funksion të finalizimit të përgatitjeve teknike dhe organizative për procesin zgjedhor të muajit qershor.

/express

Read Previous

Rrogat rriten, por çmimet shtrenjtohen më shumë; Paga reale vlen 150 euro më pak se në 2020-ën

Read Next

Arsenali i afrohet titullit