KQZ-ja rikonfirmon: Nuk ka rekomandim për shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë rekomandim për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor 2022.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e së shtunës të KQZ-së, vetëm një ditë pasi ky institucion mbajti mbledhje me dyer të mbyllura.

Sipas anëtarëve të KQZ-së janë institucionet e sigurisë që u takon të flasin për sigurinë.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, thotë se kanë dërguar një shkresë tek presidentja, Vjosa Osmani, por se e njëjta nuk ka fare të bëjë me shtyrjen e zgjedhjeve në komunat veriore.

Elshani, në mbledhjen e sotme të KQZ-së, tha se në atë shkresën e kanë informuar presidenten për përgatitjen e mbajtjes së zgjedhjeve më 18 dhe 25 dhjetor në veri.

Elshani tha se situata deri tani është e menaxhueshme dhe se përgatitjet janë duke vazhduar me rregull.

“Takimin e djeshëm e konsideroj si konsultativ për të cilin mund të merret vendim, as nuk është votuar por ka qenë shprehje e vullnetit të anëtarëve se KQZ-ja nuk mund të rekomandojë shtyrjen e zgjedhjeve. Të bëhet publike shkresa e dërguar presidentes dhe të kuptohet se KQZ-ja vetëm ka informuar presidenten me mbarëvajtjen e përgatitjeve të zgjedhjeve”.

“Në atë shkresë është specifikuar se KQZ-ja vazhdon me përgatitjen e zgjedhjeve dhe kërkon që të garantohet lëvizja e lirë e çdo qytetari dhe që bandat kriminale atje të kufizojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të pengojnë qytetarët në shprehjen e vullnetit të tyre në ditën e zgjedhjeve. Prandaj, kërkojë që kjo shkresë të bëhet publike dhe të qartësohet edhe publiku”.

Edhe Ilir Gashi tha se është konstatuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm të mbajë zgjedhjet.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, tha se zyrtarët komunalë të KKZ në veri kanë deklaruar se nuk i ikin përgjegjësisë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve. /EO/

Read Previous

Van Gaal e mbyll aventurën me Holandën

Read Next

Osmani priti në takim Komitetin Ekzekutiv të ICMG-së dhe drejtuesit e KOK-ut