Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë aksion për largimin e tabelave të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, pasi ka konstatuar përmbajtje të pasaktë në disa prej materialeve të ekspozuara,.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, tha se vendimi për largimin e ekspozitës ka ardhur pas revokimit të lejes për shkak të pasaktësive që, sipas tij, kanë ndikuar në kujtesën historike dhe kanë shkaktuar reagim publik.
“Komuna e Prishtinës ka revoku pëlqimin për ekspozimin e materialeve prej librit të Shkëlzen Gashit, të cilat kanë qenë të parapara prej datës 24 mars deri me datën 7 prill, në përkujtim të masakrave që kanë ndodhë në Kosovë. Ky revokim është bërë për shkak të përmbajtjes së pasaktë e të pavërtetë në disa prej panove që janë shfaqë, në disa prej materialeve të cilat rëndojnë shumë kujtesën historike të kombit tonë, rëndojnë shumë të mbijetuarit e masakrave edhe kanë kriju një irritim të jashtëzakonshëm të sentimentit publik. Prandaj e kemi revoku edhe sot është marrë menjëherë aksioni për heqjen e tyre nga sheshi”, tha ai. /RTKlive