Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mblidhet për herë të parë në Tiranë

Tirana do të mirëpresë mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Organi më i lartë drejtues i futbollit europian do të zbarkojë për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, në një takim zyrtar ku pritet të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen e futbollit.

Mbledhja do të mbahet të enjten më 11 shtator 2025, nga ora 14:00 deri në 17:00.

Pikat kryesore në axhendë janë, caktimi i vendeve pritëse për finalen e UEFA Champions League 2027, finalen e UEFA Women’s Champions League 2027, finalet e UEFA Futsal Champions League 2026, UEFA Futsal Under-19 EURO 2027 dhe UEFA Women’s Futsal EURO 2027, si dhe shpërblim për finalet e UEFA Women’s Nations League 2025.

Gjithashtu pritet të miratohen rregulloret e Kampionatit Europian të Futsalit për vajza dhe rregulloret e Kompeticionit Kualifikues Europian të UEFA-s për Kupën e Botës FIFA Futsal 2028.

Më herët gjatë ditës, duke nisur nga ora 09:00, do të zhvillohet një festival futbolli për fëmijë në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë, si pjesë e programit të UEFA-s “Futbolli në Shkolla”, me një ceremoni hapëse ku do të marrin pjesë Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. 100 djem dhe vajza nga shkollat lokale do të marrin pjesë në festival, ku do të jenë të pranishëm edhe ambasadorët e UEFA-s Luís Figo dhe Aljoša Asanović, si dhe ish-lojtarë dhe personalitete vendase. /ATSH/

Read Previous

Spanja premton garanci për sigurinë e Ukrainës, pas arritjes së paqes

Read Next

18-vjeçari nga Kosova dyshohet se e qëlloi mësuesen me thikë në një shkollë në Gjermani