Kjo është poezia më e hershme shqiptare

Sot, shënohet Dita Botërore e Poezisë. Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. 

Në kuadër të kësaj dite, po paraqesim sot poezinë më të hershme në gjuhën shqipe, që është “Kënga e përshpirtshme”, gjetur në katekizmin e Lekë Matrangës “E mbsuame e krështerë”, në vitin 1592.

Kënga e përshpirtshme

Gjithëve u thërres, kush do ndëlesë
Të mirë e të krështe, bura e gra
Mbë fjalët të tinëzot të shihni meshë
Se s’ishtë njeri nesh çë mkatë s’ka
E lum kush e kujton se ka të vdesë
E mentë bashkë mbë tënëzonë i ka
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë
E bën për bir të ti e për vëlla.

Lekë Matranga (1569-1619), është shkrimtari më i vjetër i arbëreshëve të Italisë dhe autori i librit të dytë të botuar në gjuhën shqipe (pas atij të Buzukut). Për nevojat kishtare të bashkëkombësve të vet përktheu nga italishtja në gjuhën amtare një katekizëm me titull “E mbsuame e krështerë”, i cili u botua në Romë në vitin 1592. Nga dorëshkrimi i autorit, i zbuluar në Arkivat e Vatikanit, gjendet një vjershë me 8 (tetë) vargje njëmbëdhjetërrokëshe.

Me këto vargje, të natyrës fetare, një lutje dhe përgjërim drejtuar besimtarëve, dokumentohet poezia e kultivuar në letrat shqipe, duke shënuar fillimin e poezisë autoriale. / KultPlus.com

Read Previous

Përkujtohet mjeku dhe patrioti Ibrahim Temo

Read Next

Premier League do t’i lejojë lojtarët të prishin agjërimin e tyre gjatë ndeshjeve në muajin e Ramazanit