Kërkohet paraburgim për disa prej të ndaluarve për manipulim votash në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren deri tash ka kërkuar masën e paraburgimit për nëntë nga 109 të ndaluarit për dyshimet për manipulime me vota, ka mësuar KOHA nga burimet.

Paraburgimi është kërkuar përmes dy kërkesave.

KOHA ka mësuar se edhe katër kërkesa janë në përgatitje.

Seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë pritet të nisë nga ora 14:00.

109 persona u arrestuan të premten për vepra penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore, presion e kanosje dhe dhënie e marrje të ryshfetit. Sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, mbi 40 mijë vota janë shtuar e mbi 27 mijë janë hequr.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka thënë një ditë më parë se manipulimi me vota nuk do të ishte i mundur pa kompromis midis komisionerëve të deleguar nga katër partitë më të mëdha politike.

“Në regjionin tonë ato që janë numëruar nga subjektet politike në QKN është vetëm një vendvotim që ka dalë e pakeqpërdorur. Në Komunën e Prizrenit, 40,497 vota janë shtuar e janë hequr 27,520 vota. Diferenca totale e keqpërdorimeve është 68,017 vota”, ka thënë Kryeziu. /Koha.net/

Read Previous

Nga mëngjesi i së dielës priten erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, komuna e Prishtinës apel qytetarëve për kujdes

Read Next

Neuropsikiatri Zajmi: Janari konsiderohet si periudha më e rëndë emocionale në gjithë globin