Kërcënimet në rrjetet sociale, Balla takon drejtorin e Tik Tok për Evropën

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me Drejtorin e kompanisë që operon në mediat sociale, Tik Tok, për Politikat Publike dhe Marrëdhëniet me Qeverinë për Evropën Qendrore dhe Lindore, Jakub Olek.

Në këtë takim, Balla ka kërkuar kontrolle urgjente, duke ngritur shqetësimet mbi ngjarjet e fundit në vend dhe duke parë nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, dezinformimit, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.

Gjithashtu, gjatë takimit, Balla ka kërkuar edhe informacion të detajuar mbi ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve.

Drejtuesi i Tik Tok, i cili bashkë me ekipin e tij gjatë ditës do të takohet edhe me përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe agjenci të tjera, informoi ministrin mbi masat që është duke ndërmarrë për të rritur nivelin e moderimit të postimeve në gjuhën shqipe dhe mbi mundësitë që ofron aplikacioni për denoncimin e rasteve dhe kontrollin prindëror mbi postimet e fëmijëve.

“I kërkova kompanisë TikTok vendosjen e pikave të përhershme të kontaktit me Policinë e Shtetit dhe përgjigje sa më të shpejtë mbi rastet e denoncuara prej tyre”, shtjelloi Balla.

Ai shtoi se është urgjente një vëmendje të shtuar sa i përket kontrollit të postimeve në gjuhën shqipe, pamundësimit të përdorimit të këtij rrjeti për veprimtari apo promovim të sjelljeve të paligjshme, domosdoshmëria e verifikimit të moshës dhe identitetit të përdoruesve, monitorimit të kohës së qëndrimit, monitorimit prindëror me qëllim shmangien e varësisë tek fëmijët dhe adoleshentët, si dhe nevoja e ngritur edhe nga Parlamenti Evropian për monitorim të detajuar gjatë periudhave zgjedhore për të shmangur dezinformimin dhe ndërhyrjet në procesin zgjedhor.

Ministria e Brendshme po studion me vëmendje përmirësimet ligjore të ndërmarra edhe nga Bashkimi Evropian, siç janë Akti i Shërbimeve Digjitale, Akti i Tregjeve Digjitale etj., me qëllim krijimin e një hapësire digjitale në Shqipëri ku të drejtat dhe detyrimet themelore të përdoruesve janë të mbrojtura dhe të përcaktuara qartë”, përmbylli ministri Balla. /Albanianpost.com

Read Previous

Pesë lojtarët shqiptarë që shkëlqyen në fundjavë në ligat evropiane

Read Next

Dalin detaje të reja nga vdekja e Navalny, kamerat në burg ishin të fikura