Keqmenaxhimi i pandemisë godet rëndë ekonominë

Pandemia e Coronavirusit ka lëkundur ekonomitë anë e mbanë botës dhe padyshim që ndikim ka pasur edhe në Kosovë, pasi gjatë vitit 2020 ka pasur rënie të Bruto Produktit Vendor (BPV) për minus 6 për qind.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, kjo rënie gjatë vitit 2020 e bënë Kosovën me rënien më të madhe në rajon, pas Malit të Zi që shënoi rënie minus 15.2 për qind.

Shqipëria ka pasur një rënie prej minus 3.5 për qind, derisa Serbia ka pasur rënie vetëm minus 1 për qind.

Rënia e Bruto Produktit Vendor në Kosovë, sipas Driart Elshanit, ekspert i të dhënave, ka ndodhur për shkak të keqmenaxhimit të krizës së shkaktuar nga COVID-19 gjatë vitit 2020.

Ai përmend arsyet kryesore që kanë çuar në rënien e rritjes ekonomike në Kosovë.

“Mungesa e një strategjie të qartë kundër COVID-19, rrëzimi i një qeverie në start të pandemisë, dizajnimi i politikave të papërshtatura për rrethanat e Kosovës dhe për strukturën ekonomike që e ka Kosova. Vonesa e aprovimit të ligjeve, për shembull, Ligji për rimëkëmbje ekonomike është aprovuar tek në fund të vitit 2020”, thotë Elshani.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë kanë munguar qendrat komunikuese për krizat, ku qytetarët do të mund të paraqitnin problemet apo të merrnin ndihmë. Po ashtu Elshani thotë se ka munguar mbledhja dhe menaxhimi i të dhënave në mënyrë digjitale, që politikat të bazohen në të dhëna dhe jo të ketë politika ad-hoc.

Ndihmat që qeveria e kaluar ka dhënë, sipas Elshanit, nuk kanë qenë të drejtuara direkt te qytetarët dhe shpërndarja nuk ka qenë e duhura.

“Rrjedhimisht një rënie minus 6 për qind e BPV-së së Kosovës, ka pasoja shumë të mëdha, qoftë për rritjen e papunësisë, qoftë për varfërimin e mëtejshëm të popullsisë në Kosovë. Qeveria e re ka thënë se do t’i mbështet punëtorët dhe po ashtu edhe bizneset dhe kjo është shumë inkurajuese, sepse është shumë me rëndësi që punëtorët dhe qytetarët të mbështeten drejtpërdrejt”, thotë Elshani.

Visar Vokrri, drejtor programor në Institutin Riinvest thotë për Radion Evropa e Lirë se rënia ekonomike ka ndikuar në biznese, në ekonomitë familjare, në varfëri dhe në punësim.

Arsye sipas Vokrrit për një rënie të tillë, ka qenë kriza e pandemisë së koronavirusit që filloi si krizë shëndetësore por u shndërrua edhe në krizë ekonomike.

“Në Kosovë, shkaqet kryesore ose burimet kryesore të kësaj tkurrje ekonomike, mund të them që kanë qenë rënia e investimeve dhe turizmi që buron nga diaspora”, thotë Vokrri.

Mirëpo, ai thotë po ashtu se gjatë këtij viti, pritet të ketë rritje ekonomike në Kosovë.

“Këto parashikime janë të bazuara mbi supozimin që do të ketë relaksim të masave dhe nuk do të ketë masa të tjera restriktive që do të pengojnë lëvizjen e mallrave dhe bizneseve prej Kosovës në Evropë dhe anasjelltas. Shpresojmë që qeveria e re të jetë më vigjilente dhe të ndërmarrë masa proporcionale me dëmin që është shkaktuar nga pandemia”, thotë Vokrri.

Ai thotë se bizneset duhet të vazhdojnë të mbështeten, mirëpo primare duhet të jetë një plan i vaksinimit të popullsisë, në mënyrë që sa më shpejt të bëhet lirimi i masave dhe të kthehet normaliteti.

Gjatë javës, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati pati një takim me përfaqësues të bizneseve. Aty u dakorduan që të subvencionohen 50 për qind e pagave për muajin prill dhe të subvencionohen 50 për qind të shpenzimeve të qirasë për këtë muaj.

Mjetet për bizneset që ndikohen nga mbyllja dyjavore, pritet të ndahen në fund të muajit prill ose në fillim të muajit maj. Masat e reja kundër COVID-19 hynë në fuqi të mërkurën më 7 prill dhe do të jenë në fuqi deri më 18 prill.

Këto masa ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente. Shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill.

Ato lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë.

Me masat e reja ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se dhjetë persona./EO.

Read Previous

Nisin xhirimet për ribashkimin e ‘Friends’ dhe fotot bëhen virale

Read Next

Besart Berisha vazhdon me gola në Australi