KDI: MSH-ja me probleme serioze në menaxhimin e buxhetit, pacientët i blejnë vetë barnat

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka shpalosur të martën të gjeturat e një analize të procedurave të prokurimit publik lidhur me shpenzimet publike të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020-2022.

Diana Metushi Krasniqi nga KDI theksoi se, sipas të gjeturave, MSH-ja ka probleme serioze në menaxhimin e parasë publike dhe gjatë vitit të kaluar ka shpenzuar vetëm gjysmën e buxhetit.

“Përkundër rritjeve të vazhdueshme të buxhetit për sektorin e shëndetësisë, auditimi i pasqyrave  financiare të MSh-së nxjerrë në pah probleme serioze në menaxhimin e parasë publike, ku kjo Ministri gjatë vitit 2021 kishte shpenzuar vetëm 54% të buxhetit të saj, e që ishte një ulje prej 9% kundrejt shpenzimeve të një viti paraprak”.

Më tej, ka shtuar se pacientët gjatë kohës së pandemisë kanë blerë vet barnat, madje me çmime të larta.

“Për tenderin për furnizim me oksigjen, ShSKUK nuk ka lidhur kontratë me OE që kishte ofertuar 10 centë më lirë se kontrata e cila ishte në zbatim, me arsyen se ka rënë kërkesa. MSh ka lidhur marrëveshje me UNOPS për menaxhimin e projektit 22638 GoK Kosovo Emergency. Nga Unops janë blerë më shtrenjtë produktet se sa nga ShSKUK dhe MSh. MSh ka dështuar të sigurojë me kohë dhe sasi të mjaftueshme remdesivirin. Ndërsa, qytetarët janë detyruar të shpenzojnë dhe të blejnë vet”, ka thënë ajo.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi tha se për çmimet abuzive të barnave, kishin dërguar shkresa në polici dhe te Autoriteti për Konkurrencë.

“Sa i përket fryrjes së çmimeve, sekretari i përgjithshëm në startin ka adresuar dy shkresa të policisë dhe kryetarit të autoritetit për konkurrencë. Raportet e Zyrës Kombëtare te Auditimit nuk kanë raportuar pasqyrat financiare, sipas këtij raporti”, ka deklaruar Bardiqi.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj tha se ky raport tregon për mostransparencë dhe keqpërdorime.

“Kemi barna shumë të shtrenjta sesa remdesiviri që janë blerë. Gabimet tjera të cilat janë bërë kanë hyrë në protokoll të trajtimit”, tha ai.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se abuzimet janë të mëdha gjatë kohës së pandemisë.

“Është abuzuar prej dorezave te dezinfektueset e deri te thasët e kufomave. Ky raport argumenton të gjitha ato keqpërdorime. Janë dy marrëveshje me UNOPS, ku qytetarët duhet ta paguajnë UNOPS-in për shërbimet, ne paguajmë një shumë të lartë. Në fillim ka qenë 3,4 për qind e tashmë paguajmë 7,4 për qind për procedurat e prokurimit. Në 63 raste mungon raporti i pranimit të mallit”, ka deklaruar Haxhiu.

/Telegrafi/

Read Previous

Biden: Do të kandidoj sërish për president në 2024

Read Next

FSHF do ndajë rrugët me Rejan, ja kush pritet të marrë frenat e kuqezinjve