Kanceri i gjirit tendencë në rritje në Shqipëri, vdekshmëria në ulje

woman wearing pink top with pink ribbon, breast cancer awareness, October pink, World cancer day concept

Në Shqipëri kanceri i gjirit ka një tendencë në rritje. Gjatë viteve të fundit, rastet e prekura janë rritur me 6% ndërsa vdekshmëria shënon ulje të lehtë. Ai është kanceri më i shpeshtë tek gratë dhe i dyti në popullatën e përgjithshme në vend. Autoritetet thonë se kanë shtuar kapacitetet diagnostikuese dhe se në 6 spitale rajonale që prej vitit 2017 ofrohet dhe trajtimi me kimioterapi. Fokusi mbetet në zgjerimin e hartës së trajtimit si dhe në shtimin e mjekëve specialistë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Mimoza Picari bisedoi me disa gra të prekura nga kanceri i gjirit, mjekë, dhe ministren e shëndetësisë dhe përgatiti materialin në vazhdim.

https://www.zeriamerikes.com/a/6796537.html

Në Shqipëri, autoritetet zyrtare dhe grupe shoqërore me ndikim në publik po shtojnë përpjekjet, që për kancerin e gjirit të punohet gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në tetor, që është shpallur si muaji i ndërgjegjësimit në gjithë botën. Ai është kanceri më i shpeshtë tek gratë dhe i dyti më i shpeshtë në popullatën e përgjithshme në Shqipëri. Ekspertët thonë se mund të haset në çdo moshë, por se në shumicën dërrmuese prek gratë mbi 50 vjeç. Në të gjithë botën sipas autoriteteve shëndetësore rastet me kancer gjiri janë rritur vitet e fundit. Kjo tendencë vihet re dhe në Shqipëri, ku që prej vitit 2015 janë rritur me 9%, nga 653 në 714 raste, por nga ana tjetër, vdekshmëria është ulur lehtë me 2% dhe shifrat mbeten thuajse të njëjta. Prej disa vitesh rreth 230 gra, ose afërsisht një e treta e atyre që diagnostikohen me kancer gjiri, humbin jetën çdo vit. Për autoritetet shëndetësore kjo qëndrueshmëri lidhet me diagnostikimin e hershëm dhe përparimin mjekësor në trajtim.closevolume_off

“Vdekshmëria ka mbetur stacionare, sepse kemi diagnostikim të hershëm. Sa më herët të kapet kjo sëmundje, aq më e favorshme është për gruan, familjen, komunitetin dhe shëndetësinë, pasi mbijetesa rritet”- tha për Zërin e Amerikës Kozeta Filipi, Instituti i Shëndetit Publik.

Zbulimin e hershëm, autoritetet e lidhin me ndërgjegjësimin në rritje, dhe shtimin e kapaciteteve diagnostikuese në gjithë vendin. Qeveria ka miratuar dy vite më parë edhe një program kombëtar për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

“Nëse do të kthehemi pas, para vitit 2013, dhe do t’i referohemi diagnostikimit të hershëm përmes mamografive, në 11 spitale rajonale ka patur dy apo tre mamografi funksionale. Sot në të gjitha spitalet rajonale ka mamografi funksionale gjatë gjithë vitit dhe falas. Përveç tyre kemi dhe dy njësi të lëvizshme mamografie, që gjatë gjithë vitit shkojnë në zonat rurale, aty ky gratë kanë akses më të ulët me këtë shërbim. Kryhen më shumë se 5 mijë mamografi në vit përmes tyre. Ne synojmë që për një vit të realizojmë 20 mijë mamografi dhe fokusi mbetet ta dyfishojmë”- shprehet për Zërin e Amerikës Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Mjekët thonë se trajtimet mjekësore të grave të prekura nga kanceri i gjirit kanë përparuar në 10 vitet e fundit, duke sjellë jetëgjatësi dhe cilësi jete më të mirë për to.

“Në 10 vjeçarin e fundit ne kemi bërë një hop cilësor, duke filluar nga trajtimi me medikamente të thjeshta dhe deri tek ato më të shtrenjtat. Nga ana tjetër, ne zotërojmë një qendër radioterapie të krahasueshme me qendrat europiane. Një ndihmesë të madhe kemi dhe me anatominë patologjike. Është kthyer në një shkencë të vërtetë me futjen e ekzaminimeve të ndryshme imunoistokimike, pra ngjyrime speciale që bëjnë të mundur të përcaktojnë dhe llojin e terapisë që do të marrë pacientja”- tha për Zërin e Amerikës Silva Çeliku, Shefe e Shërbimit Onkologjik, në QSUT.

Një prej 5 mijë grave që sot po jetojnë me sëmundjen dhe ndjekin terapitë, është dhe Rezarta Reçi, gazetare dhe shkrimtare. Ajo po e sfidon sëmundjen çdo ditë, ndjek ritet e saj të zakonshme të jetës, përkrah familjes dhe miqve, pa ndalur dhe krijimtarinë letrare. Ajo thotë se në fillim e ka refuzuar trajtimin, por tani është në jetë falë tij.

Një prej 5 mijë grave që sot po jetojnë me sëmundjen dhe ndjekin terapitë, është dhe Rezarta Reçi, gazetare dhe shkrimtare. Ajo po e sfidon sëmundjen çdo ditë, ndjek ritet e saj të zakonshme të jetës, përkrah familjes dhe miqve, pa ndalur dhe krijimtarinë letrare. Ajo thotë se në fillim e ka refuzuar trajtimin, por tani është në jetë falë tij.

Sot për kancerin e gjirit ka më shumë mundësi për mbijetesë se disa dekada më parë, si pasojë e përparimeve shkencore në trajtim dhe shtimit të diagnostikimeve të hershme, ndaj dhe gratë e prekura e nisin betejën me të, me më shumë shpresë dhe guxim.

“I kam premtuar vetes të mbetem e pandryshuar me buzëqeshje me optimizëm, dhe me dëshirën për të jetuar bukur, nëse fati më ka caktuar që të jetoj” – vijoi Rezarta Reçi, gazetare./VOA

Read Previous

​Shqipëria konfirmon miqësore me Armeninë në “Air Albania”

Read Next

Përdorte kartelat e klientëve për të blerë rroba, Zvicra dëbon gruan nga Kosova