Kancelari gjerman Merz propozon që Ballkani Perëndimor të marrë rol vëzhgues në BE

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka propozuar që Ukraina të marrë një rol të drejtpërdrejtë në strukturat e Bashkimit Evropian si një hap i përkohshëm drejt anëtarësimit të plotë, duke vlerësuar se kjo qasje mund të ndihmojë edhe në arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës me Rusinë. Ndërkaq, për vendet e Ballkanit Perëndimor, ai ka propozuar që ato të kenë një status më të ulët, atë të vëzhguesit, përfshirë edhe Kosovën.

Përmes një letre drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian, e cila është siguruar nga mediumi prestigjioz Reuters, propozohet që ky format t’u mundësojë zyrtarëve ukrainas pjesëmarrjen në samitet e BE-së dhe në takimet ministrore, por pa të drejtë vote.

Merz, në letrën drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Qipros, Nikos Christodoulides, ka thënë se “nuk kemi kohë për vonesa të tjera”.

“Tani është koha që integrimi i Ukrainës në BE të vazhdojë me guxim përmes zgjidhjeve inovative dhe hapave të menjëhershëm përpara. Qëllimi im është që së shpejti të arrihet një marrëveshje”, ka shkruar ai.

Merz, po ashtu, i ka diskutuar këto ide edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe me liderë të tjerë evropianë gjatë një samiti joformal në Qipro në muajin prill.

Sipas modelit gjerman, kjo qasje e re do t’i mundësonte Ukrainës të ketë një komisioner evropian pa portofol dhe pa të drejtë vote, përfaqësues të asociuar në Parlamentin Evropian pa të drejtë vote, si dhe të drejtën për të marrë pjesë në mbledhjet e rëndësishme të BE-së.

Në të njëjtën kohë, Ukraina do të vazhdonte rrugën drejt anëtarësimit të plotë përmes zbatimit të reformave të brendshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave të pakicave.

Ndërkaq, vendet si Moldavia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të përfitonin statusin e anëtarit të asociuar, por vetëm një status më të ulët si vëzhgues në institucionet e BE-së.

Ky status do t’u ofronte këtyre vendeve qasje më të gjerë në programet e BE-së dhe në disa sektorë të tregut të përbashkët. /Albanianpost.com

Read Previous

Hoxha: Shqipëria e vendosur të thellojë reformat në rrugën drejt anëtarësimit në BE

Read Next

Tre klube gjigante evropiane hodhën poshtë mundësinë për transferimin e Rafael Leaos