Kadrijaj për Kurtin: Kam protestuar për lirimin tënd, ti dje mungove në marsh – Nga çfarë pate frikë?

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për mungesën e tij në marshin e mbajtur të shtunën në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kadrijaj ka thënë se ka protestuar dhe ka përkrahur greva e aktivitete për lirimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa ka kritikuar Kurtin për mungesën në shesh.

“Kam protestuar me dhjetëra herë për lirimin tënd. Kam përkrahur greva dhe dhjetëra aktivitete për të burgosurit shqiptarë, ndërsa ju, edhe tani që jeni të lirë, nuk gjetët kurajë të ishit dje me popullin në shesh, në mbrojtje të asaj lufte që ti kurrë nuk e pranove”, ka shkruar Kadrijaj.

Ajo i është drejtuar drejtpërdrejt Kurtit duke e pyetur se nga çfarë kishte frikë për të marrë pjesë në marsh.

“Të kuptoj që në luftë mund të kesh qenë frikacak, por nuk të kuptova dje: nga çfarë pate frikë, zoti Kurti?”, ka shkruar ajo.

Në fund, Kadrijaj ka pretenduar se Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij e dinë arsyen e mungesës në marsh.

“Unë besoj se ti dhe klubi yt e dini shumë mirë pse munguat dje”, ka përfunduar ajo.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Pas konstituimit të Kuvendit, sot pritet të votohet Qeveria e Kurtit

Read Next

Gruda: Kuvendi nuk është konstituuar, PDK-ja do t’i drejtohet Kushtetueses