Mijëra njerëz evakuohen nga zjarret që po përfshijnë Europën Jugore
Jude Bellingham ishte një nga heronjtë e Anglisë në fitoren dramatike 3-2 ndaj Meksikës, por mesfushori i Real Madridit fitoi duartrokitje edhe për gjestin e tij jashtë fushës pas përfundimit të ndeshjes.
Menjëherë pas fishkëllimës së fundit në stadiumin “Azteca”, kamerat kapën momentin kur Bellingham ngushëlloi talentin 17-vjeçar të Meksikës, Gilberto Mora, i cili ishte i dëshpëruar pas eliminimit të kombëtares së tij.
Të dy shkëmbyen disa fjalë, ndërsa më pas ylli anglez i dhuroi fanellën e tij Morës, në një gjest që u vlerësua gjerësisht nga tifozët.
Pas ndeshjes, Bellingham foli edhe për suksesin e Anglisë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij me kombëtaren.
“Është aty lart. Mendoj se në karrierën time me Anglinë, ndoshta është ndeshja më e mirë që kam përjetuar”.
“Atmosfera, kundërshtari, paraqitja e ekipit, përpjekja e ekipit, bashkimi i ekipit. Nuk mund t’i vlerësoj mjaftueshëm të gjithë për atë që bënë sonte”.
“Jam jashtëzakonisht krenar që jam pjesë e këtij momenti. Jam shumë i lumtur që i kemi dhënë vendit tonë edhe një natë tjetër për ta kujtuar”, deklaroi Bellingham.
Mesfushori anglez shkroi histori edhe me dy golat e tij në “Azteca”, duke u bërë futbollisti i parë që nga Diego Maradona që realizon dy gola në një ndeshje të Kupës së Botës në stadiumin legjendar meksikan./Telegrafi/