Javën e kaluar në botë pati 17 për qind më pak raste, 10 për qind më pak viktima

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i rasteve të reja me Covid-19 në nivel botëror ka shënuar rënie për të katërtën javë me radhë.

Në përditësimin javor të të dhënave rreth gjendjes me pandeminë, OBSh-ja thotë se javën e kaluar u raportuan mbi 3.1 raste të reja me Covid-19, që është 17 për qind më pak se javën paraprake.

Ky është numri më i vogël javor i rasteve të koronavirusit në nivel global që nga java e fundit e tetorit, rreth 15 javë më parë, shkruan CNN.

Numrin më të madh të rasteve vazhdon ta kenë Shtetet e Bashkuara, me mbi 871 mijë të infektuar për një javë. Megjithatë, kjo shifër është për 19 për qind më e ulët se numri i javës paraprake.

Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu njoftoi se edhe Brazili, Franca, Rusia dhe Britania e Madhe janë në mesin e shteteve që raportuan më së shumti raste të reja javën e kaluar.

Nga rajonet e mëdha, Afrika e shënoi rënien më të madhe të numrit të rasteve të reja me 22 për qind më pak, ndërsa rënia më e vogël u shënua në Mesdheun Lindor me vetëm 2 për qind më pak raste se në javën paraprake.

Edhe numri javor i viktimave shënoi rënie për javën e dytë me radhë, me rreth 88 mijë të vdekur javën e kaluar, 10 për qind më pak se në javën paraprake.

Read Previous

​Gjendet e vdekur gruaja e Jerome Boateng

Read Next

Hendbollistet kosovare i bashkon java e sportit në Gjakovë