Organizata ekstremiste e Hezbollahut është gati të godasë Izraelin përpara se Irani të ndërmarrtë një hap të tillë. Lajmi është bërë i ditur nga media amerikane CNN, e cila citon dy burime të afërta me shërbimet inteligjente. Hezbollahu me bazë në Liban po ecën më shpejt se Irani në planifikimin e tij dhe mund të godasë Izraelin në ditët në vijim, tha një nga burimet, citon CNN. Duke pasur parasysh afërsinë e Libanit me Izraelin, Hezbollahu mund të veprojë me pak ose aspak paralajmërim, shtoi burimi tjetër. Është e paqartë nëse Irani dhe Hezbollahu janë duke u koordinuar për një sulm të mundshëm, shton CNN.
Irani nga ana e tij e ka bërë të ditur shpesh herë se, për shkak të mungesës së veprimit nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ka “të drejtën e natyrshme” për të mbrojtur veten nga Izraeli “në kohën e duhur” për vrasjen e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran. Këtë fakt e deklaroi ministri i jashtëm i përkohshëm iranian, Ali Bagheri, gjatë samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik të mbajtur në Arabinë Saudite.
Sakaq, Izraeli ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se nëse lëvizja shiite libaneze Hezbollah synon civilët izraelitë si pjesë e hakmarrjes së saj për vrasjen e komandantit të lartë ushtarak në Bejrut, ajo do të paguajë një “çmim të lartë”, citohen të kenë thënë për mediat izraelite dy zyrtarë të lartë të Tel-Avivit. Po ashtu, Izraeli është zotuar se do ta eliminojë Yahya Sinwar, udhëheqësin e ri të Hamasit, i cili besohet se është arkitekti i sulmit të 7 tetorit në Izrael, që nxiti luftën në Gazë.
Emërimi i Sinwarit në krye të Hamasit erdhi pasi në Teheran u vra shefi politik i grupit, Ismail Haniyeh./A2cnn/