Ish-ushtarakët lavdërojnë performancën e Mehajt: I tejkaloi pritshmëritë

Rrustem Berisha që kishte udhëhequr ministrinë e Mbrojtës deri në vitin 2020, thotë për AP se ish-ministri Armend Mehaj i cili dha dorëheqje të martën e 8 gushtit për siç tha “për arsyeje familjare”, i ka tejkaluar pritshmëritë.

“Ka punuar shumë në realizmin gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së dhe unë mendoj që ai i ka tejkaluar pritshmëritë”, tha Berisha.

Pos punës, Berisha – Mehajt ia atribuon “si sukses” edhe bashkëpunimin me gjithë ish-ministrat, pavarësisht dallimeve politike.

“Ka bashkëpunuar me ish-ministrat edhe gjatë bisedës që kemi pasur, i ishte është gëzuar çdo suksesi të FSK-së. Nuk ka qenë e lehtë për të që ta udhëheq këtë ministri”, shtoi ai.

Edhe ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati e cilëson Mehajn si “ministër si suksesshëm” dhe vlerëson se do mbahet mend për ngritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos me ShBA-të dhe partnerët evropian.

“Ka bërë blerje të pajisjeve dhe të armatimeve që është për t’u komplimentuar dhe ka dyfishuar buxhetin për ministrin që e ka drejtuar”, theksoi Kastrati.

Po ashtu sipas Kastratit, ish-ministri “ka ngritë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar”, meqë FSK-ja ka marr pjesë në operacione paqeruajtëse në disa shtete.

“Ka qenë ministër që ka bërë progres në çdo aspekt”, insiston ish-komandanti i FSK-së.

Por, Kastrati është i bindur që Mehaj s’u dorëhoq për arsyeje familjare.

“Unë mendoj që më së paku janë arsyet personale dhe familjare që është larguar. Por, besoj më vonë do e marrim vesh a kanë qenë arsyet familjare, apo ka qenë diçka tjetër”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ish ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i emëruar, Ejup Maqedonci.

Ndërsa ish-eprori i FSK-së, Hysen Gecaj, mendon se ministri Mehaj ndonëse është deklaruar që dorëhiqet për arsye familjare, “ky është vetëm arsyetim para opinionit, sepse shkaqet mund të jenë të tjera”.

Megjithatë, sipas tij edhe pse Mehajt i ka munguar përvoja politike, ai gjatë punës është treguar më i përgjegjshëm sesa ministrat e tjerë në Qeverinë Kurti.

“Kjo nuk nënkupton se ishte shumë i suksesshëm, ndoshta edhe për arsye se presioni politik nga kryeministri dhe interferimi në punët e Mehajt nuk i linte hapësirë të mjaftueshme për një udhëheqje të suksesshme të ministrisë”, tha Gecaj.

Ai vuri në pah se gjatë udhëheqjes së Mehajt vërehej edhe dominanca e anës profesionale dhe ushtarake tij në raport me elementin e menaxhimit dhe kontrollit civil.

Në anën tjetër, për ekspertin e sigurisë, Avni Islami, Mehaj ka bashkëpunuar me vendet aleancës veri-atlantike dhe evropiane duke kontribuar në konsolidimin e FSK-së.

“E ka dhënë kontributin e tij solid dhe mendoj që Armend Mehaj do mbahet mend si një ndër ministrat më të suksesshëm të kësaj qeverie”, vëren Islami për AP.

“Unë mendoj që Mehaj ka kryer një punë të madhe dhe shpresoj që Maqedonci do ta vazhdojë punën e tij në avancimin e FSK-së”, përfundoi Islami. /Albanianpost.com

Read Previous

Studiuesit: Marsi po rrotullohet më shpejt, ditët po i shkurtohen

Read Next

Pse Suedia dhe Danimarka kanë krizë në lidhje me Kuranin?