INSTAT: Rritja ekonomike e Shqipërisë u përshpejtua në tremujorin e tretë

Ekonomia vijoi të ruajë ritme pozitive të rritjes, edhe në tremujorin e tretë të vitit 2025.

Sipas raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në terma realë u rrit me 3,75% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kontributin kryesor në këtë rritje e dhanë administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, të cilat regjistruan një rritje mbi 15% vjetore, si dhe sektorët e pasurive të paluajtshme, informacionit dhe komunikacionit me rritje mbi 10%.

Rritje u regjistrua gjithashtu në ndërtim, tregti, transport, akomodim dhe shërbime ushqimore, si dhe në shërbimet profesionale, financiare dhe administrative.

Në anën tjetër, ndikim negativ pati industria, energjia dhe uji, si dhe bujqësia, pyjet dhe peshkimi, të cilat shënuan rënie.

Nga ana e shpenzimeve, konsumi i popullatës u rrit me 1,25%, konsumi i qeverisë me 7,72%, ndërsa investimet u rritën me 4,78%. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve shënuan një rritje të ndjeshme mbi 12%.

Sipas vlerësimeve të përshtatura sezonalisht, PBB u rrit me 1,09% krahasuar me tremujorin e mëparshëm, me rritje në shumicën e aktiviteteve të shërbimeve, financave dhe administratës publike, ndërsa industria, ndërtimi dhe bujqësia shënuan ulje.

Mesatarja e rritjes ekonomike për nëntëmujorin e vitit 2025 vlerësohet në 3,73%, duke reflektuar një ecuri të qëndrueshme dhe pozitive të ekonomisë shqiptare. /ATSH/

Read Previous

Zjarre, vërshime e aksidente: AME me mijëra intervenime gjatë vitit 2025

Read Next

Cilat vende evropiane po shqyrtojnë ndalimin e mediave sociale për fëmijët?