Inaugurohet “FIFA Talent Academy Kosova”, hap i ri për zhvillimin e talenteve të rinj

Futbolli i Kosovës ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e talenteve të rinj me inaugurimin zyrtar të “FIFA Talent Academy Kosova”, projekt i realizuar në bashkëpunim mes Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe FIFA-s.

Ceremonia inauguruese mblodhi përfaqësues të FIFA-s, drejtues të FFK-së, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, trajnerë, prindër dhe futbollistë e futbolliste të reja, si dhe figura të njohura të futbollit kosovar.

Akademia synon të krijojë një sistem më të strukturuar për identifikimin, zhvillimin dhe avancimin e talenteve, duke u ofruar të rinjve mundësi për t’u zhvilluar në një ambient profesional dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e cilësoi inaugurimin si një ditë të veçantë për futbollin kosovar dhe theksoi se akademia është dëshmi e besimit që FIFA ka në potencialin e Kosovës.

“Sot është një ditë e veçantë për Kosovën për faktin që po inaugurohet ‘FIFA Academy’, e cila do të nxjerrë futbollistë dhe futbolliste në këto troje, të cilët një ditë sigurisht ndonjëri prej tyre do ta veshë fanellën e kombëtares sonë”, tha Ademi.

Sipas tij, akademia është e treta e këtij lloji në Evropë dhe e 15-ta në botë, ndërsa Kosova, sipas konsulentit teknik rajonal të FIFA-s, Tomas Danilevicius, është e para në Evropë që e ka akademinë e këtij programi për djem dhe vajza.

Danilevicius vlerësoi punën e FFK-së gjatë dy viteve të fundit në kuadër të “Talent Development Scheme”, duke theksuar se tashmë të gjithë talentet e rinj në Kosovë do të kenë mundësi më të mira për zhvillim.

“Mund të jemi krenarë se të gjithë djemtë dhe vajzat në Kosovë do ta kenë mundësinë të zhvillohen”, tha ai, duke shtuar se synimi është që akademia të shndërrohet në pikë referimi edhe për rajonin.

Në ceremoninë inauguruese foli edhe ministri në detyrë i Sportit, Blerim Gashani, i cili e cilësoi akademinë si një investim në potencialin e të rinjve dhe në të ardhmen e sportit kosovar.

“Kjo akademi është një hap përpara në zhvillimin e futbollit dhe përfaqëson një investim në potencialin e të rinjve tanë, në profesionalizmin e sportit dhe në krijimin e mundësive që talentet e Kosovës të zhvillohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha Gashani.

Ndërkohë, përfaqësuesi i FIFA-s përgjegjës për Kosovën, Arnar Vidarsson, bëri të ditur se projekti do të vijojë me hapa të rinj në identifikimin dhe monitorimin e talenteve. Në këtë proces pritet të përdoret edhe teknologjia përmes kamerave video, të cilat do të mundësojnë regjistrimin dhe analizimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve.

Vidarsson theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit profesional të trajnerëve dhe përmendi nisjen e kursit për UEFA Pro Licence në Kosovë si një tjetër hap të rëndësishëm për avancimin e futbollit në vend.

Inaugurimi i „FIFA Talent Academy Kosova“ u përmbyll me një program artistik nga kori i fëmijëve „Okarina“, ndërsa më pas futbollistët dhe futbollistet e reja iu drejtuan fushës për të vazhduar stërvitjet.

Akademia synon të shërbejë si një bazë e rëndësishme për ndërtimin e gjeneratave të ardhshme të futbollit kosovar dhe për krijimin e mundësive që talentet e rinj, vajza dhe djem, të zhvillohen dhe të synojnë nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar./KultPlus.com

Read Previous

Muzeu Kombëtar i Stokholmit blen altarpikturën e Lavinia Fontanës

Read Next

I riu nga Kosova fiton çmim ndërkombëtar për projektin e AI-së në gjuhën shqipe të shenjave