Humbja e Milanit, Capello: U shfaqën të gjitha problemet e sezonit të kaluar

Gjatë një interviste për numrin e sotëm të “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello foli rreth humbjes së Milanit ndaj Cremonese.

“Janë dukur të gjitha problemet që ishin edhe sezonin e kaluar: ritmi i ulët, pozicionimi i gabuar kur humbet topin dhe, më e rëndësishmja, mungesa e personalitetit. Allegri foli për ‘vështirësi në perceptimin e rrezikut’? Ka të drejtë, por gjithçka lind nga qëndrimi dhe pozicionimi. Kur Milani humbet topin, gjithmonë është jashtë ekuilibrit dhe kundërshtarët mund t’i shfrytëzojnë hapësirat e kohën, sepse rikthehen në katër apo pesë lojtarë plotësisht të lirë. Loftus-Cheek, për shembull, ka vështirësi të kthehet, edhe Fofana avancon shumë përpara. Treguesit ishin të dukshëm edhe kundër Barit në Kupën e Italisë.” – shtoi Capello,

A nuk i kushton Allegri vëmendje fazës mbrojtëse?

Sigurisht, kjo është e pakundërshtueshme. Jam i sigurt se Max do të punojë mbi këtë, sepse në aspektin taktik është defekti më i dukshëm. Pastaj janë edhe gabimet individuale; te Milani nuk mbrohet duke ‘ndjerë’ sulmuesin, por vetëm duke parë topin. Allegri duhet të korrigjojë shumë gjëra, por për këtë nevojitet gatishmëria e futbollistëve. Kam parë ndonjë lojtar te Milani të kthehet pas ‘avash-avash’, pa agresivitetin e duhur. Po jap një shembull të kundërt: Te Napoli, të gjithë lojtarët, nëse humbasin topin, rendin për ta rikuperuar ose të paktën kthehen shpejt në pozicione. Te Milani kjo nuk shihej sezonin e kaluar, nuk u pa as kundër Cremonese”. – theksoi Fabio Capello. /Telesport.al/

Read Previous

Ish-presidenti i BQE-së: BE-ja është një xhuxh financiar krahasuar me SHBA-në dhe Kinën

Read Next

Nis shtrimi i asfaltit në urën e re mbi lumin Ibër