Humbi zgjedhjet me rreth 40 mijë vota, Taravari s’tërhiqet: Vazhdojmë

Pasi që humbi zgjedhjet presidenciale në taborin shqiptar ndaj kandidatit të “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, me një diferencë rreth 40 mijë vota, kandidati i koalicionit “VLEN”, për President të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka paralajmëruar se nuk do të tërhiqet, dhe betejën do ta vazhdojë për garën parlamentare që zhvillohet më 8 maj.

Këtë, Taravari e ka bërë përmes një postimi në Facebook të enjten, pas numërimit të gati 100 për qind të votave totale.

“Mirëdita! Vazhdojmë!”, ka shkruar shkurtimisht kryetari i Gostivarit.

Ndryshe nga Taravari, pasi që u shpall fitues, Osmani ka falënderuar të gjithë ata që e kanë votuar në zgjedhjet presidenciale, derisa ka thënë se ky është një kapitull i ri.

“Faleminderit mbi 120,000 herë! Faleminderit për çdo votë, për çdo mbështetje, për çdo besim të dhënë në këtë udhëtim. Me mbi 120,000 vota, ju keni dërguar një mesazh të qartë: Bashkimi është forca jonë dhe diversiteti është fuqia jonë. Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për ne të gjithë, një kapitull ku bashkë do të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për të gjithë”, shkroi Osmani në Facebook.

Ai theksoi të jetë plotësisht i nderuar dhe i përulur nga besimi dhe mbështetja e qytetarëve.

“Premtoj të punoj pa u lodhur për të përmbushur pritshmëritë tuaja dhe për të avancuar çështjet që janë më të rëndësishme për të gjithë ne. Bashkë, nuk ka sfidë që nuk mund të kapërcejmë”, shtoi.

Osmani ka falënderuar edhe ata që nuk e kanë votuar, por megjithatë ka pasur një ftesë për ta.

“Ju ftoj të jeni pjesë e këtij kapitulli të ri, të ndërtojmë bashkë të ardhmen, pa marrë parasysh ndarjet e mëparshme. Bashkë përpara, me zemër të hapur dhe mendje të vendosur për të bërë të mundurën në çdo hap”.

Në fund ai ka shprehur falënderime veçanërisht për aktivistët e “Frontit Evropian”, të cilët tha se “na kanë bërë krenarë me përkushtimin dhe energjinë e tyre”.

Ndryshe, me 99,85 për qind të votave të numëruara, Osmani ka grumbulluar plotë 120 mijë e 903 vota, apo 13,36 për qind, ndërsa Taravari 83 mijë e 306 vota, apo 9,21 për qind.

Sa i përket kampit maqedonas, fituese me 362 mijë e 682 vota, apo 40,08 për qind është Gordana Siljanovska Davkova, kandidatja e partisë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE-së.

Ajo ndiqet nga presidenti aktual Stevo Pendarovski, i cili ka grumbulluar 180 mijë e 306 vota, përkatësisht 19,93 për qind të votës totale.

Duke qenë se asnjë kandidatë nuk ka marrë më shumë se 50 për qind, atëherë për president të Maqedonisë së Veriut do të ketë edhe një raund tjetër të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahet më 8 maj, së bashku me ato parlamentare.

Gara në balotazh do të zhvillohet mes Siljanovska Davkova të VMRO-DPMNE-së dhe Pendarovski të LSDM-së.

Pos këtyre në garë kanë qenë edhe tre kandidatë të tjerë maqedonas.

Maksim Dimitrievski, i cili ka fituar 83 mijë e 787 vota, apo 9,26 për qind, kandidatja e “Levicës”, Biljana Vankovska Cvetkovska, që ka grumbulluar 41 mijë e 172 vota, apo 4,55 për qind, dhe Stevco Jakimovski me vetëm 8 mijë e 103 vota, apo 0,90 për qind.

Në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit në Maqedoni të Veriut, të drejtë vote kishin mbi 1 milion qytetarë, ndërsa të drejtën e tyre e shfrytëzuan 828 mijë e 402, apo 48,38 për qind.

Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale të këtij shteti, që nga pavarësimi i tij nga Republika Federale e Jugosllavisë, në vitin 1991. /Albanianpost.com

Read Previous

Musk me X lanson aplikacionin për video që funksionon në të gjitha pajisjet

Read Next

Kurti: Qeverisja komunale refuzoi çdo projekt të klubit letrar