Hovenier për rregulloren e re të BQK-së për dinarin: Të merren veprimet e duhura

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier në një konferencë për media ka thënë se ka ndarë shqetësimet me kryeministrin Kurti në lidhje me vendimin e BQK-së për dinarin e Serbisë.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka thënë se duhet të merren veprime të duhura për të siguruar që serbët do të jenë të sigurt, pasi sot ka hyrë në fuqi rregullorja e re e BQK-së, e cila e ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.

“Serbët do të ndjehen të shkëputur nga benefitet që i përfitojnë. Askush nuk e dëshiron këtë”, tha Hovenier pas takimit me kryeministrin Kurti, teksa nuk dha detaje rreth diskutimeve me të parin e ekzekutivit.

Që nga paslufta më 1999, Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka përdorur dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë, përfshirë këtu edhe spitalet dhe shkollat.

Banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e kanë shfrytëzuar dinarin edhe për pagesat në dyqane dhe restorante.

Ata, po ashtu, kanë mundur të tërheqin dinarë nga bankomatet e bankave me bazë në Serbi.

Dinarët kanë hyrë në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës.

Ato para, pastaj, i ka transportuar kompania për transport të parave “Henderson”.

Kjo situatë është zhvilluar kështu pavarësisht faktit se Neni 11 i Kushtetutës së Kosovës përcakton “një monedhë të vetme” si mjet të vlefshëm pagese në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës e ka justifikuar rregulloren e saj duke thënë se ka “obligim ligjor” për ta rregulluar sistemin financiar, veçanërisht një çështje si monedha, e cila “ka mbetur e parregulluar për një kohë shumë të gjatë”.

Edhe pse zyrtarët kosovarë premtuan një “tranzicion të lehtë” nga dinari në euro, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të enjten se blloku “është i shqetësuar për pasojat që ky vendim mund t’i ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën, për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake”.

/Telegrafi/

Read Previous

Spanjë / Katalonia në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të thatësirës, kufizime në konsumin e ujit

Read Next

Ecja në qendër të qytetit, rrezik për kalimtarët