Hovenier pas takimit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme: Biseduam për sigurinë kombëtare, e vlerësoj punën e tyre

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier është takuar sot me deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Pas takimit, Hovenier para mediave u shpreh se ishte një takim i frytshëm ku diskutuan për shumë çështje përfshirë këtu edhe sigurinë kombëtare.

“Sapo pata një diskutim të shkëlqyer me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, isha i nderuar për këtë ftesë. Patëm një diskutim frytdhënës për sigurinë nacionale. Kam vlerësimin më të lartë për rolin e Kuvendit, si një element i sistemit demokratik dhe gjithashtu kam respekt edhe për anëtarët e këtij Komisioni dhe punën që ata bëjnë për të mbështetur Kosovën në politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare”, u shpreh Hovenier.

Në anën tjetër kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi u shpreh se rikonfirmuan lidhjen e marrëdhënies speciale me SHBA-të.

“Ne sot kishim kënaqësinë e nderin të kemi mysafir ambasadorin Hovenier, rikonfirmuam lidhjen e marrëdhënies speciale me SHBA-të, rrugëtimin tonë drejt rrugës euro-atlantike. Diskutuam disa prej aspekteve të ecjes së Kosovës drejt shtetndërtimit të plotë”, tha Abazi.

Ai u shpreh se kjo frymë e bashkëpunimit do të vazhdoj edhe më tej.

“Në rrugëtimin tonë gjeopolitik mund të ketë çështje që diskutohen por ato janë mes miqve dhe partnerëve. Kjo frymë bashkëpunimi do të vazhdoj edhe më tutje. Komisioni është platformë e hapur që të dëgjojmë këshillat dhe përvojat sidomos të ambasadorëve të SHBA-ve të cilët kanë përvojë të jashtëzakonshme në procesin tonë unik të shtet-bërjes”, tha Abazi. /Telegrafi/

Read Previous

​Testi i Arritshmërisë në dy ditë, nxënësit do t’i përgjigjen 200 pyetjeve

Read Next

Drita Agolli, regjisorja e parë shqiptare e diplomuar e skenës