Hovenier: Ndalesa e barnave është keqinterpretim, Kosova i lejon ato të hyjnë nga Serbia

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, i ka quajtur keqinterpretime pretendimet se Kosova nuk po e lejon importimin e medikamenteve dhe furnizimeve mjekësore nga Serbia.

Në një intervistë që ka zhvilluar sot me gazetarë, ai ka thënë se ilaçet dhe furnizimet mjekësore importohen nga Serbia sot, në të njëjtën mënyrë si importoheshin para datës 14 qershor.

“Kjo është një gjë vërtetë serioze dhe ne e marrim atë shumë seriozisht. Kështu që ne biseduam me autoritetet, si me Qeverinë e Kosovës dhe bëmë maksimumin për të marrë njohuri nga homologët serbë për të na ndihmuar të kuptojmë situatën dhe duhet të jem i qartë se është kuptimi ynë që ilaçet dhe furnizimet mjekësore importohen nga Serbia sot, në të njëjtën mënyrë si importoheshin para datës 14 qershor, kur u vendos për herë të parë kjo masë”, ka thënë ambasadori amerikan.

Tutje, ai ka shtuar se duket se ka njerëz që mundohen të keqinterpretojnë situatën.

“Kemi pasur një bisedë shumë të qartë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe MSH-ja nuk duket të ketë dijeni për ndonjë kërkesë për import të barnave ose furnizime mjekësore të cilave ata nuk u janë përgjigjur pozitivisht”, ka thënë amerikani.

Më tej ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë veprime që promovojnë qarkullimin e lirë të mallrave në vend që t’i kufizojnë ato në çfarëdo mënyre, që kjo çështje të mos keqinterpretohet.

/klankosova/

Read Previous

Kosova pranoi veç dy njohje të reja për pesë vjet

Read Next

Kush janë njerëzit më të pasur në botë?