Drita ka arritur sukses historik të enjten mbrëma në Differdange të Luksemburgut.
Drita e mposhti 1:0 kampionin e Luksemburgut, Differdange, për të bërë vend në fazën e ligës në “Conference League”.
Në Ligën e Konferencës, kampionia e Kosovës në futboll do t’i ketë edhe të paktën gjashtë ndeshje. Faza e ligës prej edicionit të kaluar e ka zëvendësuar fazën grupore në garat evropiane për klube të futbollit.
Ballkani ishte paraqitur dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës dhe Drita bëhet skuadra e dytë kosovare e kualifikuar. Dhe e para që do të garojë në fazën e ligës të garës së tretë evropiane për nga niveli.
Drita e kishte fituar 2:1 ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës, të enjten e kaluar në “Fadil Vokrri”. Dhe me tjetër fitore, 1:0, konfirmoi kualifikimin historik. /Koha.net/