Herve Renard, ‘gjeniu’ që mposhti Argjentinën me Arabinë Saudite

Francezi 54-vjeçar, Herve Renard u vendos në krye të Kombëtares së Arabisë Saudite në verën e vitit 2019 dhe ka një kontratë që i përfundon në 2027.

Deri më tani ai numëron 32 ndeshje në stolin e Arabisë, teksa ka arritur të marrë 17 fitore, 10 barazime dhe pesë humbje. Ai ka marrë 1.91 pikë mesatarisht për çdo ndeshje.

Renard mbërriti te sauditët me një CV shumë të pasur. Në të kaluarën ai kishte mundur të fitonte Kupën e Kombeve në Afrikë me dy kombëtare të ndryshme. Në vitin në 2012 me Zambian dhe në 2015 me Bregun e Fildishtë.

Gjithashtu ai kishte mundur të kualifikonte Marokun në Kupën e Botës 2018 për herë të parë që nga viti 1998.

Ndërsa, këtë të martë ai tregoi “forcën” e tij duke mundur në ndeshjen e parë në Kupën e Botës 2022 një skuadër pretendente si Argjentina.

Edhe pse ekipi i Lionel Scaloni-t e nisi mjaft mirë takimin duke arritur të shënojë në minutën e 10 me një penallti të realizuar nga Lionel Messi, sauditët arritën të përmbysnin gjithçka.

Në fillimin e pjesës së dytë sauditët do të vinin me dy gola të shpejtë. Ai i barazimit të sfidës u shënua nga Saleh Al-Shehri në minutën e 48. Teksa pesë minuta më vonë do të vinte dhe super goli i Salem Al-Dawsari.

Një tjetër gjë që do të binte në sy përveç fitores së Arabisë do të ishte mënyra se si skuadra kishte përgatitur grackat e pozicioneve jashtë loje. Lojtarët e Argjentinës u kapën 10 herë në pozicion. Madje ata realizuan në minutën e 29 me Lautaro Martinez po goli iu anulua për këtë shkak.

Me rezultatin e arritur, Arabia qëndron në krye të grupit me tri pikë. Meksika, Polonia dhe Argjentina kanë nga zero pikë. Por, Meksika dhe Polonia do të përballen me njëra-tjetrën duke filluar nga ora 17:00 e kësaj të marte.

Ndeshja e radhës për skuadrën e drejtuar nga Renard do të jetë përballë Polonisë më 26 nëntor, ora 14:00. Në rast të një fitoreje, Arabia do të jetë në raundin tjetër. Por dhe një barazim është shpresëdhënës për ta.

Ndërkohë Argjentina do të kërkojë të marrë pikët e para për këtë edicion të Botërorit përballë Meksikës, po më 26 nëntor, duke filluar nga ora 20:00. /Albanianpost.com

Read Previous

Manchester City dhe Guardiola arrijnë marrëveshje për rinovimin e kontratës

Read Next

Ministria e Arsimit ia shkëput SBASHK-ut kontratën kolektive