• 1 July, 2022

Helmohen 26 nxënës në ekskursion në Mitrovicë

26 nxënës nga shkolla e fshatit Besi në komunën e Prishtinës dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në njërin prej restoranteve në Mitrovicë në pasditen e sotme teksa ishin në ekskursion shkollor.

Lajmin për RTK-në e ka konfirmuar Fevzi Sylejmani nga drejtoria e Shëndetësisë në Mitrovicë.

“Gjendja e nxënësve është e mirë. Simptomat janë më shumë me dhimbje barku për shkak të helmimit në ushqim. Vetëm 10 prej tyre janë të shtrirë në repartin e infektivës të Spitalit Regjional dhe gjendja e tyre është stabile. Pjesa tjetër e ka vazhduar udhëtimin për Prishtinë“, ka thënë Sylejmani.

Ai më tej ka sqaruar se nxënësit kanë qenë në një ekskursion dhe kanë ngrënë drekë në një prej restoranteve në Mitrovicë, por ka thënë se ende nuk dihet lloji i ushqimit.

“Ende nuk e kemi informata se prej çfarë lloj ushqimi janë helmuar. Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Por në përgjithësi gjendja e tyre është stabile dhe nuk pritet ndonjë komplikim. Sigurisht se do të lirohen të gjithë nga spitali pas marrjes së trajtimit”, ka shtuar ai.

Nxënësit në Spitalin Rajonal në Mitrovicë i ka vizituar edhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza. Ai ka takuar nxënësit e helmuar dhe stafin që po kujdeset për ta.

Ndërkohë nga Policia Rajonale në Mitrovicë kanë thënë se për rastet e helmimit nuk janë kompetentë të flasin dhe se nuk ka ende një urdhëresë nga prokuroria për ta hetuar rastin./Rtklive/

Read Previous

Vlora dhe Durrësi hapin sezonën verore, presin kosovarët

Read Next

Moti për fundjavë dhe javën e ardhshme