Haxhiu dhe Kurti: Deklarata Kushtetuese hodhi themelet e shtetësisë

Krerët institucionalë në detyrë kanë përkujtuar 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar atë si një nga aktet kyçe në rrugëtimin e Kosovës drejt shtetësisë.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se në rrethanat e asaj kohe Kosova kishte hapësirë të kufizuar politike, por refuzoi të pranonte nënshtrimin ndaj regjimit serb.

“Serbia synonte më shumë se qeverisjen e Kosovës, synonte ta linte pa zë politik dhe pa mundësi që të shfaqej si subjekt për vete. Kundër kësaj u ngrit kjo deklaratë kushtetuese e 2 Korrikut. Kosova e asaj kohe kishte shumë pak hapësirë, por kishte njerëz që dinin ta përdornin edhe atë pak hapësirë, me mençuri dhe me guxim”, deklaroi Haxhiu.

Ajo shtoi se delegatët që miratuan Deklaratën, së bashku me hartuesit dhe mbështetësit e saj, dëshmuan se politika e Kosovës duhej të mbështetej në të drejtën dhe jo në nënshtrim.

“Në mesin e tyre ishin delegatët që e miratuan deklaratën, njerëzit që e hartuan dhe e mbështetën, si dhe të gjithë ata që e kuptuan se politika e Kosovës duhet të fliste me gjuhën e së drejtës e jo me gjuhën e nënshtrimit. Pas 2 Korrikut erdhi 7 Shtatori, u shpall Kushtetuta e Kaçanikut, pastaj referendumi për pavarësi dhe i gjithë organizimi i viteve të 90-ta. Kosova u përpoq ta mbante veten në këmbë, me institucione që krijoi, me shkollat shtëpi, me universitetin, me jetën politike dhe me qytetarët që nuk pranuan amendamentet e mëhershme dhe dënimin që iu kishte imponua”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi Deklaratën e 2 Korrikut si aktin juridik dhe politik që shënoi lindjen e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, Deklarata e miratuar më 2 korrik 1990 në Prishtinë, së bashku me zhvillimet kushtetuese dhe politike që pasuan, hodhi themelet e shtetësisë dhe të rezistencës institucionale të Kosovës.

“Deklarata Kushtetuese ishte shprehje e lirisë, por edhe e barazisë. Ishte shprehje e vullnetit të popullit kundër diskriminimit dhe ndrydhjes së paskajme. Dy muaj më pas, më 7 shtator 1990, shumica e këtyre delegatëve arritën të marrin pjesë në mbledhjen e organizuar në fshehtësi në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, ku u miratua Kushtetuta e Kosovës dhe u shpall Kosova Republikë. Këto dy akte politike, të cilat plotësonin njëra-tjetrën, ishin shpallje e deklaratave politike, por edhe shpallje ligjore e juridike të Kosovës Republikë, si një monument politik gjithëpopullor e i pashlyeshëm, i cili prej atëherë kishte qarkulluar masivisht, por dhe me guxim. Deklarata e 2 korrikut 1990, e pasuar nga Kushtetuta e 7 shtatorit në Kaçanik, erdhi në një vit e gjysmë pasi Jugosllavia, e dominuar nga Serbia e udhëhequr nga Millosheviqi, ja suprimoi autonominë Kosovës si njësi konstituive që ishte në kuadër të Federatës së Jugosllavisë”, tha Kurti.

Ilaz Ramajli kryetar i delegatëve që votuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, tha se kur e sheh Kosovën e pavarur bindet se deklarata nuk ishte vetëm akt juridik.

“Ky vlerësim na nderon thellësisht. Ai nuk u takon vetëm 111 delegatëve që votuan Deklaratën Kushtetuese, por të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilët në ato kohëra të jashtëzakonshme, të vështira, besuan se vetëvendosja, liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor, ishin vlera për të cilat duhet të angazhoheshin pa hezitim. Kur e shoh sot Kosovën, si shtet të lirë, të pavarur dhe demokratik, bindem edhe më shumë se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut nuk ishte vetëm një akt juridik. Ajo ishte shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës dhe pikënisje e një procesi historik që, pavarësisht sfidave, sakrificave dhe rënieve të shumta, u kurorëzua me lirinë dhe shtetin tonë”, theksoi ai.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 u miratua nga deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës para ndërtesës së Kuvendit në Prishtinë, pasi autoritetet serbe ua kishin pamundësuar hyrjen.

Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e barabartë në kuadër të federatës jugosllave, duke kundërshtuar heqjen e autonomisë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Deklarata konsiderohet një nga aktet themeluese të shtetësisë së Kosovës dhe i hapi rrugën miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990. /RTKlive

Read Previous

Paralajmërohen protesta ndaj Gjykatës Speciale pas shtyrjes së vendimit për ish-krerët e UÇK-së

Read Next

​Kosova pret Shqipërinë në Prizren, synon fitore jetike në parakualifikimet e EuroBasket 2029